Aktori i humorit, Albano Bogdo, zbuloi në ‘Grida Duma Podcast’ një histori të rrallë dhe shumë personale, duke treguar sesi divorcet e prindërve e detyruan të rritej përpara kohe.
Bogdo kujton se ndarja e prindërve ndodhi vetëm gjashtë muaj pas vdekjes së gjyshit të tij, duke lënë familjen në një hapësirë të mbushur me humbje dhe trishtim. “Jo, nuk e kisha pritur. Nuk dallohej asgjë në shtëpi,” rrëfeu ai, duke shfaqur dhimbjen e një fëmije të papërgatitur për realitetin e papritur.
Ai përshkroi babanë e tij si një njeri korrekt dhe të qetë, por vendimi i tij për të ikur ndryshoi gjithçka. “U çua një ditë dhe iku. Tha: ‘Nuk jam i lumtur, jam i lumtur diku tjetër.’ Kush jam unë ta gjykoj? Nuk po e gjykoj, thjesht po tregoj çfarë ndodhi,” tha Bogdo me një ton të ngarkuar me emocione.
Më e rëndë për të ishte presioni i shoqërisë, që e bëri të ndjehej i detyruar të rritej përpara kohe. “Vinin të gjithë dhe më thanë: ‘Tani je burri i shtëpisë, duhet t’i vësh shpatullat shtëpisë’. Unë nuk kisha mbushur 12 vjeç. Ishte e pamundur të merrja përgjegjësi të tilla,” rrëfeu aktori.
Momenti më i ndjeshëm ishte lidhja e tij me të ëmën: “I thashë: çfarëdo që të ndodhë, ne do të jemi shokë të ngushtë deri sa të vdesë njëri nga ne. Nuk do të të lë kurrë vetëm.”
Pavarësisht sfidave ekonomike dhe emocionale të viteve pas divorcit, Bogdo tha se përvoja e formoi si njeri dhe si artist, duke e bërë të kuptojë këmbënguljen, dhimbjen dhe forcën e të rriturit përpara kohe./mxh
