Shkrimtarja dhe ish-drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, ka folur për rëndësinë e identitetit shqiptar dhe rolin e letërsisë në ruajtjen e tij. Në një intervistë për gazetaren Fatmira Nikolli, ajo u ndal edhe te mendimi i të ndjerit Ismail Kadare, veçanërisht te raporti i tij me identitetin europian të shqiptarëve dhe trashëgiminë kulturore të vendit.
Më poshtë fragmenti i plotë:
Fatmira: Ndërsa po flisnit për identitetin, mua kujtua një titull libri i Zigmund Bajman, që flet për identitetin e lëngshëm, që tregon që shoqëritë modern, individët nuk kanë më një profil të përcaktuar, por ai është I luhatshëm, I lëngshëm dhe i përshtatshëm me nevojën e shoqërisë, me nevojën për mbijetesë, dhe duket sikur në rastin tonë ky identitet I lëngshëm na ka bërë pak të ikim nga rrënjët, por ende skemi gjetur rrënjë të reja ose ende nuk e kemi kuptuar sat ë rëndësishme janë rrënjët për të mbërritur te degët. Në këtë kuptim, sa e rëndësishëm është libri edhe për të na bërë të njohim rrënjët, origjinën, por edhe për të kërkuar botë dhe kultura të reja sepse e bukura e kulturë është pikërisht kjo, ky lloj diversiteti, ose kjo lloj shumëllojshmërie e ngjyrave, mendimeve e kulturave, për të vlerësuar edhe lahutën, por për të vlerësuar edhe polifoninë, për të vlerësuar edhe vallet edhe këngët, për të vlerësuar legjendat dhe historinë. Ne po shohim që edhe vepra të mëdha si Odisea mund të kenë lexime të reja për t’ju përshtatur kohëve moderne, për të na bërë ne ta lexojmë, po themi antikitetin edhe me gjuhën tonë, sepse duket se njerëzimi ripërsërit vetveten mbase në metoda të reja, por në forma të njëjta. Në këtë kuptim, sa i rëndësishëm është leximi pavarësisht moshës, pavarësisht brezave, pavarësisht ku jetojmë, pavarësisht sa të shtypur jemi ose sa të palirë jemi, ose sa e duam lirinë. Gjatë periudhës që ju keni qenë në Qendrën e Librit jeni marrë shpesh edhe me letërsinë që na përball me të shkuarën, me atë pjesë tonën për të cilën na vjen turp dhe e fshehim, me atë pjesë tonën, që shpesh e keqmenaxhojmë ose e keqpërdorim.
Alda: Pyetja juaj është shumë e bukur, pasi debatet dhe diskutimet për identitetin janë diskutime, që i mungojnë shoqërisë shqiptare. Janë diskutime, të cilat në qoftë se hidhemi në kohë dhe çështja e identitetit, është një çështje e rëndësishme, e lidhur fort me nyjet dhe fijet e një kombi dhe të kulturës. Në këtë kontekst libri ka pasur dhe ka një rol shumë të rëndësishëm, pikërisht në ruajtjet e fijes së këtij identiteti. Sot identiteti shqiptar ashtu si shumë identitete të tjera është përballë një sërë presionesh, përballë diversitetit, përballë komunikimeve të cilat shpesh e ndihmojnë këtë identitet, por nga ana tjetër e vendosin atë përballë një presioni të humbjes së vetes. Kështu që pyetja që shtrohet sot kur flasim për identitetin është që sa mundet identiteti shqiptar t’i përshtatet ndryshimeve të reja, por pa humbur vlerat edhe thelbin e tij. Me çështjen e identitetit janë marrë shumë filozofë, autorë të rëndësishëm. Ndoshta Kadare është një nga autorët apo mendimtarët që çështjen e identitetit e ktheu në një pamflet të mendimit kulturor, shqiptar, me librin e tij “Identiteti europian i shqiptarëve”, një libër, i cili është si një lloj testament le të themi për Shqipërinë e së shkuarës, por edhe Shqipërinë e së nesërmes, duke u ndalur pikërisht tek një element i rëndësishëm, te lidhja e Shqipërisë me Evropën, një lidhje që i ka rrënjët sipas Kadaresë në identitetin e thellë shqiptar, një lidhje e pandryshueshme, e patjetërsueshme, një lidhje që arriti t’i mbijetonte dhe një periudhe të gjatë pushtimi, siç ishte pushtimi otoman. Identiteti jonë europian mbeti I pandryshueshëm sipas shkrimtarit, dhe pikërisht fijet e këtij identiteti europian që kanë lidhje edhe me gjuhën shqipe tregojnë një Shqipëri shumë pranë Europës ku ne kërkojmë të aderojmë sot. Sigurisht që libri ka një rol të rëndësishëm në këtë progres, por ajo çka i mungon sot shoqërisë shqiptare, ajo çfarë i mungon sot diskursit, është dëshira dhe përpjekja për të elaboruar, pikërisht mendime të tilla, që kanë të bëjnë me identitetin, që janë mendime që e pasurojnë diskursin publik, dhe i japin një kah ideve, bindjeve, lëvizjeve për të cilat shoqëria shqiptare ka nevojë. Duke nisur nga Odiseja që është në qendër të vëmendjes për shkak të fuqisë që ka Hollivudi për të shkuar te publiku./ad
