Ambasadori i Britanisë në vendin tonë, Nicholas Abbott ka folur mbrëmjen e sotme për reformën në drejtësi, ku është shprehur se Shqipëria ka bërë një përparim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizua.
Gjatë fjalës së tij në një intervistë për Euronews Albania, Abott ka vlerësuar dhe punën e Prokurorisë së Posaçme, ku tha se është një institucion që vepron në mënyrë të pavarur dhe pa u ndikuar nga politika.
Ai theksoi se pavarësia e SPAK-ut është shumë e rëndësishme që të ruhet, ndërsa shtoi se në marrëdhënie me ndërkombëtarët kjo është thelbësore.
Ambasadori Abbott ka folur edhe për drejtimin e SPAK nga kryeprokurori Klodjan Braho, për të cilin tha se po ecën në hapat e paraardhësit të tij, Altin Dumanit.
Pjesë nga intervista
A vlerësoni se sot drejtësia dhe SPAK është e pavarur dhe e pandikuar nga politika?
Po, mendoj se po. Dhe mendoj se kjo është një nga arsyet pse SPAK-u shihet kaq pozitivisht nga shoqëria këtu. Sepse perceptohet si i pavarur, sepse vepron në mënyrë të pavarur, dhe sepse njerëzit duan që kështu të jetë. Mendoj se edhe ky është një element i rëndësishëm. Mendoj se është e rëndësishme që të gjithë ta kujtojnë se njerëzit në fakt nuk kërkojnë një organizatë me paragjykime apo me anësi. Ajo që kërkojnë është një institucion i pavarur. Dhe ne e kuptojmë shumë mirë këtë. Mendoj se shpesh ka njerëz, disa njerëz në shoqëri këtu, që besojnë disi se ndërkombëtarët qëndrojnë pas SPAK-ut. Kjo thjesht nuk është e vërtetë. Pas SPAK-ut qëndrojnë shqiptarët. Të jemi të drejtë, pas SPAK-ut qëndron qeveria. Pas SPAK-ut qëndron parlamenti. Pavarësisht sfidave që lidhen me raste të veçanta, askush nuk po thotë që ato duhet të hidhen poshtë, të ndalen apo të mbyllen. Të gjithë e njohin nevojën. Mendoj se ka nevojë për më shumë se SPAK-u, siç folëm edhe më parë. Mendoj se duhet bërë më shumë për të forcuar prokurorinë e përgjithshme, duhet bërë më shumë për të forcuar gjyqësorin. Por pavarësia brenda shtetit të së drejtës është vërtet shumë e rëndësishme. Që SPAK-u të vazhdojë të ruhet si institucion i pavarur, është shumë e rëndësishme. Dhe në punën tonë me SPAK-un, kjo pavarësi është thelbësore. Ne kemi bashkëpunim të ngushtë, siç kanë edhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, sepse çështjet me të cilat po përballemi nuk mbeten vetëm brenda kufijve të Shqipërisë. Ato shkojnë përtej tyre.
Prej muajsh SPAK drejtohet nga prokurori Braho. Cili është vlerësimi juaj? Është në të njëjtën korsi me parardhësit Altin Dumani, që gjatë kohës së drejtimit të tij, emra të rëndësishëm të politikës sot janë të arrestuar dhe të akuzuar për korrupsion?
Të jem shumë i sinqertë, mendoj se është çështje vazhdimësie. Nuk ndiej se ka pasur ndonjë ndryshim të veçantë. E dini, ne kemi një marrëdhënie të ngushtë. Ajo funksionon dhe vazhdon të funksionojë. Dhe kjo ka të bëjë vërtet me zhvillimin e Shqipërisë. Ky është një element kyç: kur ke institucione të ngritura mirë, me pavarësinë e tyre, me integritetin e tyre, që edhe vetë dëshirojnë të jenë shumë të qarta për misionin e tyre, për rolin e tyre dhe për atë që duan të arrijnë.
Dhe edhe pse SPAK-u merr shumë vëmendje, mendoj se ajo që po shohim në të gjithë sistemin është një vazhdimësi shumë më e madhe. Njerëzit nuk po i trajtojnë pozicionet e tyre si një lloj çifligu, apo si një mbretëri të vogël që ata e sundojnë vetë, por po kuptojnë se ajo që i duhet vendit janë institucione të forta, që bëjnë atë që duhet të bëjnë. E bëjnë pa korrupsion. E bëjnë në mënyrë efektive, dhe në fund u shërbejnë qytetarëve./mxh
