Ambasadori britanik në Tiranë, Nicholas Abbott ka folur mrbëmjen e sotme për kritikat e ambasadorit shqiptar në Britani, Uran Ferizi mbi qëndrimet e zyrtarëve britanikë ndaj emigrantëve shqiptarë, të cilët sipas tij i përmendin si komunitet me probleme.
Abbott u shpreh në intervistën për Euronews Albania se shumica e shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar jetojnë normalisht, punojnë dhe kontribuojnë në ekonomi.
Por ai shtoi se ka dhe një realitet tjetër, ai që sipas tij, shqiptarët janë grupi më i madh i të huajve të dënuar në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar.
“Do të isha shumë dakord me ambasadorin Farizi, se duhet të jemi shumë të kujdesshëm me statistikat, me shifrat që përdorin njerëzit dhe me realitetin që qëndron pas tyre. Mendoj se ai ka plotësisht të drejtë ta ngrejë këtë çështje. Prandaj ai dhe unë kemi një bisedë të gjatë mbi pyetjen se kë do të konsideronit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar. Ai do të përfshinte edhe ata që kanë emigruar nga Italia apo Greqia, por që kanë identitet etnik shqiptar. Si qeveri, ne nuk veprojmë kështu. Ne i konsiderojmë shtetas shqiptarë ata që kanë pasaportë shqiptare dhe hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar me të. Pra, nuk është kaq e thjeshtë. Shumica e shqiptarëve që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar bëjnë jetë normale, jetë krejt normale, si njerëzit këtu. Ata kanë punë. Kontribuojnë në ekonomi. Kanë fëmijë që shkojnë në shkollë. Mund të kenë familjarë që jetojnë në Britani dhe marrin trajtim mjekësor. Por ka edhe një realitet që qeveria nuk mund ta shpërfillë. Shtetasit shqiptarë janë grupi më i madh i të huajve të dënuar në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar. Ky është realitet. Nuk synon aspak të demonizojë askënd. Dhe mendoj se mesazhi im, qoftë kur flas me ambasadorin Farizi, qoftë kur flas me pjesëtarë të diasporës në Mbretërinë e Bashkuar, apo me ata që vijnë këtu, është i njëjtë. Kohët e fundit pata një vizitë nga një grup biznesmenësh të suksesshëm që jetojnë në Londër. Nuk po flas për njerëz që drejtojnë kompani të mëdha. Janë kompani familjare. Por ata kanë qenë atje për gati 30 vjet. Kanë pasur sukses. Janë vendosur atje me familjet e tyre. Ata më pyesnin: çfarë mund të bëjmë tani për vendin tonë? Si mund të na ndihmoni këtu në Shqipëri? Dhe unë qesh pak, sepse më duket sikur tani kam një lloj elektorati shqiptar që përfaqësoj”, tha ai./mxh
