Last Updated on 23/10/2025 by EL
Një anije e Marinës Mbretërore britanike ka interceptuar dhe monitoruar një luftanije ruse që po kalonte pranë ujërave territoriale të Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas raportimit të Sky News, operacioni u krye nga shkatërruesi britanik HMS Duncan, i cili është bazuar në Portsmouth dhe aktualisht vepron nën Komandën Detare Aleate të NATO-s.
Anija britanike, së bashku me një helikopter të tipit Wildcat, u angazhua për të ndjekur dhe mbikëqyrur shkatërruesin rus “Vice Admiral Kulakov” ndërsa ai lundronte përmes Detit të Veriut dhe Kanalit Anglez, drejt ishullit Ushant, në brigjet franceze.
Një zëdhënës i Marinës Mbretërore cituar nga Sky News tha se është hera e parë që një anije britanike angazhohet drejtpërdrejt nën komandën operative të NATO-s për një mision të këtij lloji.
Operacioni u zhvillua nga e premtja deri të dielën dhe përfshiu gjithashtu forcat ajrore holandeze dhe marinën franceze.
“Kjo ndërhyrje tregon angazhimin e Marinës Mbretërore për të mbrojtur ujërat britanike dhe për të bashkëpunuar ngushtë me aleatët tanë të NATO-s”, deklaroi komandanti i HMS Duncan, Dan Lee, për Sky News.
Sipas Ministrit britanik për Forcat e Armatosura, Al Carns, marina britanike “qëndron e gatshme për të reaguar ndaj çdo aktiviteti detar rus”, ndërsa “operacionet e monitorimit zhvillohen vazhdimisht për të garantuar sigurinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe ujërave të saj territoriale”.
Në njoftimin zyrtar të Marinës Mbretërore, të cituar nga Sky News, thuhet se HMS Duncan përdori sensorë dhe sisteme të avancuara për të ndjekur lëvizjet e anijes ruse gjatë kalimit në ujërat ndërkombëtare pranë Britanisë./e.t
