Last Updated on 14/10/2026 by Anisa
Gazetarja Ola Xama ka reaguar për protestën e zhvilluar sot para Ministrisë së Arsimit, duke komentuar përplasjet mes protestuesve dhe Policisë, si dhe dëmtimet e raportuara gjatë tubimit.
Në reagimin e saj, Xama shprehet se këtë herë nuk i bëjnë përshtypje dëmet materiale apo kostot që mund të kërkojë rikonstruksioni i godinave të dëmtuara. Ajo e lidh qëndrimin e saj me pakënaqësinë ndaj mënyrës se si, sipas saj, funksionon pushteti dhe me bindjen se protestat janë një formë kundërshtimi kur qytetarët nuk ndihen të dëgjuar.
Gazetarja kritikon gjithashtu drejtuesit që, sipas saj, japin urdhra për ndërhyrjen ndaj protestuesve, duke përmendur edhe emra zyrtarësh të tanishëm dhe të mëparshëm. Në reagimin e saj, ajo ndalet edhe te efektivët e Policisë, duke vënë në dukje kontrastin mes ankesave të tyre për pagat dhe kushtet e punës dhe veprimeve ndaj qytetarëve gjatë protestave.
Në reagimin e publikuar në Facebook, gazetarja shkruan:
“Personalisht kam pëlqyer marshimet paqësore, por sot mendoj disi më ndryshe. Kur pushteti na dhunon çdo ditë, na grabit dhe natën, e kur ne dalim t’ia themi në shesh se nuk duam më këtë model – qëndron arrogant dhe vazhdon me kokëfortësi të veprojë njësoj, forma e vetme për të kundërshtuar mbetet revolta.
Sepse me një pushtet që nuk të dëgjon nuk ke si të sillesh ndryshe: ose do të largohesh, siç kanë bërë shumë të rinj, ose do të nxjerrësh dufin.
Nëse studentët kanë rrëzuar ndonjë suva apo diçka më shumë nga ndërtesat shtetërore, ia bëj ‘hallall’. Më mirë ta prishin ata se ta falë nesër kryeministri për të gostitur rrethin e oborrtarëve të tij e për të blerë ditët e pushtetit.
Sot për herë të parë nuk më dhimbset as ndonjë tender që do të bëhet për rikonstruksion godine, sepse nëse janë nisur për t’i vjedhur ato para, do të shpiknin ndonjë shembje tjetër e do t’i vidhnin.
Nuk pata as ndjesinë më të vogël se prona që u dëmtua më takon edhe mua, sepse nuk e di që prej sa kohësh më është krijuar bindja se askush prej nesh nuk është bashkëpronar te publikja e se atë e ka një njeri i vetëm.
Nuk më bëjnë përshtypje as emrat që japin urdhra për të gjuajtur mbi studentët, qoftë ky ministri i ri Ervin Demo (ish-rektor), apo të vjetër, të shkarkuar dhe përdorur… si Lamallari, Balla, Çuçi, Lleshaj, Xhafaj… Tahiri… stilolapsa që u deshën për të firmosur, gojë që përcollën urdhra pa bërë rezistencë, pa arsyetuar pasojat, por vetëm duke u bindur verbërisht. Kategori zyrtarësh që i konsideroj kancer të institucioneve.
Sepse modeli i tyre kopjohet dhe nga ata që kanë më poshtë.
Ata që sot zbritën në shesh dhe rrahën studentët. Ata që më pas ankohen se keqtrajtohen nga eprorët, që thonë se kanë punë të vështirë e pagë të ulët, se nuk ia dalin të mbajnë familjen e se ndonjëherë me urdhër e ndonjëherë nga pamundësia bëhen shërbëtorë të kriminelëve.
Janë të njëjtët që sot rrahën qytetarët se dolën të protestojnë që taksat të mos vidhen, por të shkojnë te ne, te pagat e tyre, te arsimi i fëmijëve të tyre dhe tanë.
Hipokritë që mbajnë anën e hajdutëve dhe presin që të drejtat t’i bien nga qielli. Gangrenë e shoqërisë dhe përgjegjës sa të gjithë ata që e kuptojnë se çfarë po ndodh, por zgjedhin të mos flasin se ‘vetë janë mirë, nuk ka ç’i duhet’!”/ad
