Last Updated on 11/04/2026 by Monika
Sekretari i Berishës, Enri Çeno, është ankuar pasi PD nuk e ka ftuar në mbledhjen e zhvilluar një ditë më parë në Durrës për çështjen e portit të ri të Durrësit.
Çeno thotë se është një zë që ka qenë i përfshirë në promovimin e këtij projekti përtej kufijve të vendit, është ai që e ka çuar në korridoret e Shtëpisë së Bardhë, njëkohësisht është dhe një bir i qytetit për të cilin diskutohej dhe nuk është ftuar në mbledhje.
Çeno thotë se i ka bërë të gjitha veprimet e renditura më lart dhe ankohet pse PD nuk e ka ftuar në mbledhje.
“Dje, në Durrës, Partia Demokratike e Shqipërisë u mblodh për të diskutuar mbi çështjen e portit të ri-një nismë me rëndësi të veçantë, që meriton vëmendje dhe përgjegjësi. Ishte një hap i mirë dhe i nevojshëm.
Megjithatë, në atë tryezë mungonte një zë që, ndoshta më shumë se kushdo tjetër, ka qenë i përfshirë në promovimin e këtij projekti përtej kufijve të vendit. Pikërisht ai që e ka çuar këtë ide deri në korridoret e Shtëpisë së Bardhë, duke e lidhur madje me zhvillime të rëndësishme ndërkombëtare si Marrëveshja Kosovë-Serbi e 4 shtatorit 2020.
Ironikisht, ky person nuk është vetëm një nga figurat kyçe të këtij rrugëtimi, por edhe vetë durrsak-një bir i qytetit për të cilin po diskutohej-dhe njëkohësisht sekretar ndërkombëtar i kësaj partie”, shkruan Çeno./mxh
