Një psikologe për fëmijët thotë se prindërit nuk duhet t’i shpëtojnë gjithmonë fëmijët nga frika. Përkundrazi, duke u dhënë hapësirë ta përballojnë vetë, ata u mësojnë se janë më të aftë nga sa mendojnë.
Sipas CNBC Make It, një nga keqkuptimet më të zakonshme të prindërve është ideja se ankthi i fëmijës duhet zhdukur sa më shpejt. Psikologia klinike Kathryn Hecht shpjegon se ankthi është një emocion normal njerëzor dhe shfaqet sidomos përballë situatave të reja ose të pasigurta. Prandaj, qëllimi nuk duhet të jetë ta eliminojmë atë, por t’i mësojmë fëmijës se mund ta përballojë.
Hecht e përmbledh qasjen e saj në një formulë shumë të thjeshtë: “Ankth + guxim = vetëbesim”. Ideja është që fëmija të përballet gradualisht me atë që e frikëson, në vend që prindi të ndërhyjë menjëherë për ta larguar situatën. Kur një fëmijë kupton se ia doli vetë me diçka që më parë e trembte, ai fiton jo vetëm një eksperiencë të re, por edhe bindjen se mund t’ia dalë sërish.
Kjo nuk do të thotë ta shtyjmë fëmijën me forcë drejt frikës së tij. Përkundrazi, psikologia thekson se guximi funksionon kur hapi merret nga vetë fëmija. Një fëmijë që ka ankth social, për shembull, mund të nisë me diçka shumë të vogël, si të porosisë vetë ëmbëlsirën në një restorant. Në këtë mënyrë, sfida mbetet e menaxhueshme, ndërsa suksesi i përket atij.
Prindërit kanë gjithashtu një rol të rëndësishëm duke modeluar sjelljen që duan të shohin. Nëse një prind ka frikë nga bletët, për shembull, mund të përpiqet të reagojë me qetësi kur një e tillë hyn në shtëpi, duke i treguar fëmijës se frika mund të ekzistojë pa na kontrolluar. Edhe hapat më të vegjël duhen vënë në dukje dhe inkurajuar, sepse një akt guximi mund ta bëjë më të lehtë të radhës.
Një tjetër element që psikologia sugjeron është loja. Përballja me frikën nuk duhet të duket gjithmonë si një “detyrë” serioze. Mund të kthehet në një lojë, sfidë apo aventurë që lidhet me interesat e fëmijës. Kështu, ajo që dukej si një situatë kërcënuese mund të fillojë të perceptohet si diçka që mund të eksplorohet.
Mesazhi për prindërit është i thjeshtë, jo çdo shqetësim i fëmijës duhet zgjidhur nga të rriturit. Ndonjëherë mënyra më e mirë për ta ndihmuar është t’i qëndrosh pranë, ta lejosh të ndiejë ankthin dhe t’i japësh hapësirën për të bërë vetë hapin tjetër. Sepse kur fëmijët mësojnë se mund ta përballojnë pasigurinë dhe frikën, e ardhmja nuk duket më vetëm si diçka që duhet t’i trembë, por edhe si diçka që mund ta përballojnë./ad
