Vëllimi i theksuar, kaçurrelat natyrale dhe prerjet me shtresa janë disa nga elementet që po rikthejnë estetikën e viteve ’80 në trendet e flokëve për vjeshtën 2026. Këtë herë, modelet ikonike vijnë me një qasje më moderne, më pak të kuruar në mënyrë perfekte dhe me më shumë lëvizje natyrale.
Gjatë viteve ’80, flokët ishin një pjesë thelbësore e pamjes. Llakët, shkumat, xhelet dhe jo vetëm ishin pjesë e rutinës së stilimit, ndërsa një model flokësh mund të ndryshonte tërësisht edhe veshjen më të thjeshtë. Princesha Diana, Madonna, Brooke Shields, Cindy Crawford dhe Dolly Parton ishin ndër ikonat që i dhanë dekadës stilin e saj karakteristik.
Sot, këto frymëzime rikthehen pa kërkuar domosdoshmërisht të njëjtin shkëlqim të kuruar apo vëllim ekstrem. Ideja është të ruhet karakteri i flokëve, me teksturë, lëvizje dhe paksa çrregullsi.
Ja shtatë modele ikonike që mund t’i rikrijoni këtë sezon.
1. Bishti i çrregullt, si Madonna

Në vitet ’80, Madonna eksperimentonte jo vetëm me veshjet dhe grimin, por edhe me flokët. Bishti i çrregullt ishte një nga modelet që përputhej më së miri me stilin e saj rebel.
Për një version bashkëkohor, lërini disa fije që kornizojnë fytyrën dhe e bëjnë pamjen më të këndshme.
2. Volumi me ndarje anësore, si Cindy Crawford

Flokët voluminozë të Cindy Crawford janë ndër pamjet më të dallueshme të supermodeleve të asaj kohe. Ndarja anësore, volumi dhe majat e buta krijonin atë efektin e flokëve të dendur dhe plot shkëlqim që vazhdon të frymëzojë edhe sot.
3. Kaçurrelat e Julia Roberts

Kaçurrelat e dendura dhe paksa të çrregullta janë ndër elementet që lidhen menjëherë me estetikën e viteve ’80. Julia Roberts u bë e njohur edhe për flokët e saj voluminozë, të cilët i jepnin pamjes një karakter të gjallë dhe të pakuruar.
4. Valët e buta me volum, si Brooke Shields

Flokët e gjatë të Brooke Shields, me valë dhe volum, janë frymëzim ideal për ato që duan një pamje më elegante, pa hequr dorë nga fryma e viteve ’80. Ndryshe nga kaçurrelat më të theksuara, ky stil mbështetet te lëvizja dhe forma natyrale e flokëve.
Rezultati është një model që funksionon si për përditshmëri, ashtu edhe për raste kur dëshironi t’i jepni pamjes pak më shumë elegancë.
5. Kaçurrelat e mbledhura lart, si Sarah Jessica Parker

Në estetikën e viteve ’80, volumi nuk kufizohej vetëm te flokët e lëshuar. Modelet e mbledhura, me kaçurrela të dukshme dhe fije që binin rreth fytyrës, ishin gjithashtu pjesë e pamjeve karakteristike të dekadës.
Sarah Jessica Parker është një nga figurat që lidhen me këtë frymë. Për ta sjellë stilin në ditët e sotme, mblidhini flokët lart, duke lënë disa kaçurrela të lira përpara. Një fjongo e madhe i jep pamjes një karakter më retro, ndërsa një kapëse apo llastik minimalist e bën më të përshtatshme për një stil modern.
Ajo që i bashkon të gjitha këto modele është volumi, tekstura dhe lëvizja. Nuk është e nevojshme të rikrijoni çdo detaj të viteve ’80. Mjafton të zgjidhni elementin që ju përshtatet më shumë, qoftë një bisht i çrregullt, kaçurrela të plota apo një prerje me shtresa, dhe ta përshtatni me stilin tuaj./k.m
