Një çift që po numëronte ditët deri te martesa e tyre vendosi t’i japë fund gjithçkaje vetëm dy javë para ceremonisë, pas një debati që lidhej me një prej rasteve më të diskutuara kriminale në SHBA.
Sipas një historie që është bërë virale në rrjet, burri mësoi se e fejuara e tij kishte shprehur mbështetje për Lindsay Clancy, gruan nga Massachusetts e akuzuar për vdekjen e tre fëmijëve të saj të vegjël në vitin 2023.
Pikërisht ky qëndrim thuhet se u bë pika e fundit për marrëdhënien. Burri dyshohet se nuk e pa më çështjen si një debat të zakonshëm mes partnerësh, por si një tregues se të dy kishin pikëpamje shumë të ndryshme për çështje themelore, veçanërisht për familjen dhe prindërimin.
Rasti i Clancy-t vazhdon të jetë objekt debati në SHBA. Ajo është deklaruar e pafajshme, ndërsa mbrojtja pretendon se në momentin e ngjarjes vuante nga psikozë pas lindjes. Prokuroria, nga ana tjetër, argumenton se ajo ishte në gjendje t’i kuptonte veprimet e saj dhe duhet të përballet me përgjegjësi penale.
Ndërkohë, emrat e dy personave që pretendohet se i dhanë fund fejesës nuk janë bërë publikë dhe detajet e historisë nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Megjithatë, rrëfimi ka shkaktuar një debat të madh në rrjet: deri ku mund të ndikojnë bindjet dhe vlerat personale në një marrëdhënie dhe a mund të jenë ato arsye e mjaftueshme për të anuluar një martesë, edhe kur ceremonia është vetëm pak ditë larg?
Në këtë rast, përgjigjja duket se ka qenë po./mxh
