Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se brenda katër vjetësh, Kosova do të zëvendësojë 1 miliard euro importe me prodhime vendore.
Në kuadër të edicionit të tretë të konferencës “The Future of Business”, me temën “Nga mundësitë tek investimet”, Kurti është shprehur se 1 miliard euro prodhim vendor në vend të importit, do të thotë fabrika të reja dhe vende të reja pune.
Sipas tij, kjo është një mënyrë e krijimit të vetëqëndrueshmërisë dhe pavarësisë, në një kohë ku logjistika dhe mbrojtja e zinxhirit furnizues po bëhen gjithmonë e më komplekse.
Postimi i Kurtit:
“Nëpërmjet Agjendës Një Miliard Euro, bashkë me Data4X, synojmë e po angazhohemi që, brenda katër vjetësh, 1 miliard euro importe t’i zëvendësojmë me prodhime vendore. Ne ende blejmë jashtë shumë nga ato që mund t’i bëjmë vetë, por po punojmë me përkushtim që kjo të ndryshojë. 1 miliard euro prodhim vendor në vend të importit, do të thotë edhe fabrika të reja, vende pune e produkte vendore në raftet tona, por edhe eksport.
Nuk është proteksionizëm. Tregjet tona mbeten të hapura dhe kompanitë tona do të konkurrojnë. Është agjendë zhvillimore, e zgjedhur me kujdes dhe e ndërtuar mbi të dhëna. Në një botë ku logjistika dhe mbrojtja e zinxhirit furnizues po bëhen gjithmonë e më komplekse për shkak të ndryshimeve gjeostrategjike, mendojmë që kjo është edhe një mënyrë e krijimit të vetëqëndrueshmërisë, pavarësisë, madje edhe e sigurisë. Rruga se si arrihet kjo ishte në qendër të diskutimeve që patëm mbrëmë në kuadër të edicionit të tretë të konferencës “The Future of Business”, me temën “Nga mundësitë tek investimet”./k.m
