Në orët e para të së premtes, në orën 02:48, Arazhi i Bajës (Bayeux Tapestry) kaloi portat e Muzeut Britanik në Londër, ku do të ekspozohet nga 10 shtatori i këtij viti deri në korrik të vitit 2027.
Muzeu britanik e cilëson atë “ekspozitën e shekullit”, një ngjarje që “do të shënojë një brez të tërë”.
Pritja për këtë ngjarje është jashtëzakonisht e madhe. Faqja e Muzeut Britanik ka pësuar disa herë probleme gjatë shitjes së paketave të para të biletave për anëtarët vjetorë të muzeut. Rreth 100 mijë bileta u shitën që në ditën e parë, ndërsa parashikohet që ekspozita të tërheqë rreth 7.5 milionë vizitorë në total.
Rezervimet për publikun e gjerë do të hapen gjatë këtij viti.
Ky është një moment historik, pasi për herë të parë pas një mijëvjeçari, kjo vepër e paçmuar është rikthyer në Angli, edhe pse përkohësisht dhe si huazim.
Arazhi udhëtoi nga Muzeu i Tapicerisë në Normandi, ku ruhet që prej vitit 1983, me një kamion të verdhë pa shenja dalluese, duke kaluar përmes Kalaisë, tunelit nën Kanalin Anglez, Kentit dhe më pas drejt Londrës, i shoqëruar nga dy makina policie.
“E mrekullueshme, apo jo?”, tha drejtori i muzeut, Nicholas Cullinan, teksa u shpreh i emocionuar para gazetarëve.
Sipas mediave britanike, transporti i veprës iu nënshtrua dy provave paraprake për të matur dridhjet që mund ta dëmtonin. Arazhi, rreth 70 metra i gjatë, është mbrojtur në një kuti të posaçme dhe do të qëndrojë aty për disa ditë, i palosur në formë fizarmonike, derisa të përshtatet me ambientin e ri.
Megjithatë, huazimi ka shkaktuar edhe kritika, pasi bëhet fjalë për një vepër jashtëzakonisht delikate. Artisti britanik David Hockney ishte ndër ata që kundërshtuan ekspozimin e saj jashtë vendit, duke e cilësuar “shumë të çmuar për t’iu nënshtruar një rreziku të tillë”.
Pas kësaj do të nisë një procedurë e posaçme me 27 faza, gjatë së cilës rreth 100 punonjës të muzeut do ta vendosin ngadalë arazhin në një vitrinë të projektuar posaçërisht, që do të mundësojë ekspozimin horizontal përgjatë gjithë gjatësisë së tij.
Vepra, e krijuar mbi një pëlhurë liri të qëndisur me fije leshi me ngjyra, daton në vitet 70-80 të shekullit XI. Edhe pse quhet “arazh”, në të vërtetë është një qëndisje dhe vazhdon të mbetet një nga misteret më të mëdha të historisë së artit.
Mendohet se mund të jetë realizuar nga gra ose murgesha anglosaksone me porosi të Odonit, gjysmëvëllait të Vilhelmit Pushtuesi, për t’u ekspozuar në Bayeux. Ajo tregon pushtimin norman të Anglisë në vitin 1066 dhe përplasjen mes Vilhelmit dhe mbretit anglez Haroldi II. Vepra përmban 58 skena dhe 626 personazhe.
Arazhi paraqet fundin epik të Anglisë anglosaksone, pasi pushtimi norman ndryshoi rrënjësisht historinë, kulturën dhe gjuhën e vendit, por shënoi gjithashtu fillimin e përfshirjes së Anglisë në politikën e Evropës kontinentale.
Presidenti francez Emmanuel Macron e cilësoi huazimin si “një gjest besimi” dhe një shenjë të marrëdhënieve të përmirësuara mes Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
“Është një shprehje konkrete e një miqësie të gjatë dhe një shenjë e vullnetit të përbashkët të dy vendeve për të ndërtuar së bashku të ardhmen e tyre”, u shpreh Macron.
Ndërkohë, në shkëmbinjtë e Doverit u projektua imazhi i arazhit me një mesazh të thjeshtë: “Merci”./mxh
