Nga Lutfi Dervishi
Disa thonë se protesta i prish imazhin vendit, disa se po ia ndreq.
Disa thonë se po pengon integrimin në BE, disa se po e përshpejton.
Disa thonë se aty ka dalë llumi, disa se aty është pjesa më e pandotur e shoqërisë.
Disa e shajnë se protesta nuk ka kokë, disa e lavdërojnë pikërisisht
sepse nuk ka kokë.
Disa thonë se protesta po zvogëlohet, disa thonë se pikërisht aftësia për të rezistuar është forca e saj.
Disa e quajnë protesta e sorrave dhe korbave, disa e quajnë protesta e shqiponjave dhe flamingove.
Disa e pasqyrojnë me dronë nga qielli, disa me kamera nga shpina e protestuesve.
Disa shohin revoltë, disa shohin shpresë.
Disa shohin anarki e kaos, disa shohin qytetari e vetëdije.
Disa shohin një grusht njerëzish, disa shohin fillimin e një lëvizjeje.
Disa thonë se është protestë politike, disa se është protestë qytetare.
Disa presin që të mbarojë nesër, disa thonë se sapo ka filluar.
Disa numërojnë pjesëmarrësit, disa numërojnë ditët.
Protestat nuk zbulojnë vetëm çfarë mendon sheshi, por edhe çfarë mendon secili kur e sheh sheshin.
…dhe kur zhurma e zhurmuesve të fashitet, dronët të ulen dhe kamerat të fiken, e ata që mbajnë shënime të lodhen duke numëruar, secili do të përballet me pyetjet: po ti, ku ishe? Po ti çfarë pe?
