Ushtria e Nigerisë njoftoi se ka liruar të 44 nxënësit dhe mësuesit që ishin rrëmbyer dy muaj më parë nga shkollat në shtetin jugor Oyo, ndërsa ka arrestuar disa prej personave të dyshuar si autorë të rrëmbimit.
Një sindikatë lokale e mësuesve i tha BBC-së se ndjen “lehtësim” pas lirimit të pengjeve, ndërsa familjarët thanë se përvoja ka qenë e tmerrshme dhe se ende presin të ribashkohen me të afërmit e tyre.
Ushtria bëri të ditur se disa ushtarë humbën jetën gjatë misionit të shpëtimit.
Të liruarit aktualisht po marrin trajtim mjekësor në një spital, vendndodhja e të cilit nuk është bërë publike, dhe do të kthehen pranë familjeve të tyre në një moment të mëvonshëm, tha zëdhënësi i ushtrisë Danjuma Jonah Danjuma në një deklaratë të publikuar të premten në mbrëmje.
Një valë e re rrëmbimesh masive ka goditur Nigerinë gjatë muajve të fundit, ndërsa pasiguria mbetet një nga problemet kryesore përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të ardhshëm.
Qeveria thotë se po forcon sigurinë pranë shkollave dhe komuniteteve të rrezikuara, por kritikët argumentojnë se masat nuk janë të mjaftueshme.
Në këtë rast, viktimat u rrëmbyen më 15 maj nga tre shkolla në zonën Osiire të shtetit Oyo: Shkolla Baptiste e Kopshtit dhe Fillores, Shkolla Fillore LA dhe Shkolla Komunitare e Mesme.
Nuk ka pasur konfirmim zyrtar për moshat e viktimave, por nxënësit e këtyre niveleve shkollore në Nigeri zakonisht janë nga 2 deri në 18 vjeç.
Për familjet e tyre, pritja ka qenë jashtëzakonisht e vështirë.
“Ishte një përvojë e tmerrshme, por falënderojmë Zotin që përfundoi mirë”, tha për BBC-në profesori Wole Alamu. Bashkëshortja e tij, Rachael Folawe Alamu, është drejtoreshë e Shkollës Komunitare të Mesme dhe ai tha se familja e tij e kishte pasur veçanërisht të vështirë të shihte videot e publikuara nga rrëmbyesit, ku shfaqeshin ajo dhe mësues e nxënës të tjerë.
“Jemi të lumtur që ata janë të lirë dhe mirënjohës ndaj të gjithëve që kontribuan në një mënyrë apo tjetër për lirimin e tyre”, shtoi ai.
Hassan Ajibola, drejtues i Sindikatës së Mësuesve në shtetin Oyo, tha për BBC-në se ishte “i lumtur dhe i emocionuar” dhe se ndiente një “gëzim të madh”, por kërkoi nga autoritetet zbatimin e plotë të masave më të forta të sigurisë, të parashikuara në iniciativën për shkolla të sigurta të nisur më shumë se një dekadë më parë pas rrëmbimit famëkeq të nxënëseve në Chibok.
“Jam shumë i bindur se nëse ky program do të zbatohej plotësisht, shkollat tona do të ishin shumë, shumë të sigurta”, tha ai.
Ai shtoi se masat duhet të përfshijnë vendosjen e personelit të sigurisë në shkolla, kamera monitorimi, patrullime të rregullta, rrethimin e ambienteve shkollore dhe përdorimin e grupeve lokale të sigurisë për të ndihmuar zonat ku mungojnë forcat.
Në Nigeri, rrëmbimet e vazhdueshme në shkolla kanë nxitur thirrje nga ligjvënës dhe organizata të të drejtave të njeriut për hetime mbi mënyrën se si janë përdorur fondet e Iniciativës për Shkolla të Sigurta.
Rrëmbimet në shtetin Oyo shkaktuan shqetësim të madh në Nigeri për shkak të përmasave të tyre dhe faktit se ndodhën në jugperëndimin kryesisht të krishterë të vendit, ndryshe nga veriu kryesisht mysliman, ku sulme të tilla janë më të zakonshme.
Ushtria tha se operacioni njëmujor i shpëtimit përfshiu forcat ushtarake, policinë, agjencitë e inteligjencës dhe grupet lokale të vetëmbrojtjes.
Sipas saj, autoritetet identifikuan personat pas rrëmbimit dhe shkatërruan rrjetin e tyre mbështetës, përfshirë informatorët dhe bazat e fshehta në pyllin e Parkut Kombëtar Old Oyo. Kjo zonë është një nga disa territoret e mëdha dhe të vështira për t’u aksesuar, që janë kthyer në strehë për bandat kriminale dhe grupet xhihadiste.
Të premten njoftoi se kishte arrestuar disa të dyshuar, por nuk bëri të ditur se sa persona të tjerë mbeten ende në arrati. Ushtria tha se operacione të tjera do të vijojnë./mxh
