Last Updated on 13/11/2026 by Anisa
Ish-ministri socialist Arben Malaj, mbrëmjen e sotme ka qenë i ftuar në Report TV, teksa i është drejtuar pyetja nëse do të garonte në zgjedhjet lokale si kandidat i pavarur për Bashkinë e Vlorës, duke iu referuar një deklarate të thënë më herët.
Në përgjigjen e tij, Malaj është shprehur se nuk ka marrë akoma një vendim përfundimtar, ku ndër të tjera ish-ministri i financave ka folur dhe për protestat që janë duke u zhvilluar, teksa ka shprehur se është kundër dhunës dhe thekson se Shqipëria nuk mund të digjet sërish si në vitin 1997.
“E dyta, protesta, unë që në fillim u shpreha kundër protestave me dhunë, sepse është edhe përgjegjësi sepse e di që është djegur njëherë vendi im. Që protesta do të fitojë nga masivizimi, jo nga agresiviteti i dhunës. Parimisht në politikë unë jam me mos-bindjen civile që kanë provuar vende të tjera, më të mëdha se Shqipëria, sepse duhet të ndërtojmë pa shkatërruar. Nëse bëjmë revolucion, shkatërrojmë edhe institucionet, siç na ka ndodhur në të dyja rastet, edhe në 1992, edhe në 1997, të gjitha këto kosto janë kostot e vonesës për atë që njerëzit janë të zhgënjyer për atë që ne duhet të kishim arritur. E treta, edhe protesta tani nuk duket nëse do të jetë një subjekt inspirues për zgjedhjet e tjera, apo do presë zgjedhjet parlamentare. Koha është e shkurtër, po nuk u bë strukturë kapilare në çdo qytet, çdo lagje, që të ngrihen e të mobilizohen, është e pamundur që të ndryshojë rezultati”, shtoi Malaj.
Ndër të tjera, Malaj ka folur dhe për SPAK, ndërsa ka shprehur se duhet të avancojë shumë me luftën kundër korrupsionit të niveleve të larta dhe korrupsionit zgjedhor, teksa ripërsëriti se nuk mund të hynte në një garë, ku sipas tij, vota vidhet.
“E treta që unë mendoj se do të ndodhte pozitivisht ishte që SPAK do avanconte më shumë në luftën kundër korrupsionit të niveleve të larta, duke krijuar shpresë se po ndodh një ndryshim. Kështu që duhet parë me kujdes, sepse unë nuk mund të jem egoist, që të regjistrojë thjeshtë një konkurrim në garë dhe t’i lë mbështetësit e mi nën dhunën e patronazhistëve, sepse pyetja e tyre e shpeshtë është ‘kush na e mbron votën?’. Dhe në 2013 kur unë dola i pavarur, ‘Rilindja’ atëherë na e vodhi votën”, përfundoi Malaj./ad
