Last Updated on 15/09/2026 by Monika
Degët inxhinierike vijojnë të jenë ndër më të preferuarat nga maturantët shqiptarë edhe këtë vit, me Universitetin Politeknik të Tiranës që ka regjistruar një interes të lartë për disa prej programeve të studimit.
Sipas rektorit të Universitetit Politeknik, Akli Fundo, deri në këtë fazë janë plotësuar më shumë se 70% e kuotave. Interesi më i madh është shënuar në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës, ku vendet e parashikuara janë ezauruar plotësisht.
Edhe programe të tjera të Universitetit Politeknik kanë regjistruar nivele të larta regjistrimesh, me shumicën e degëve më të kërkuara që kanë kaluar mbi 90% të kuotave.
Krahasuar me një vit më parë, kërkesa është rritur veçanërisht për Arkitekturën, Teknologjinë e Informacionit, Inxhinierinë Elektrike dhe Inxhinierinë e Ndërtimit.
Sipas drejtuesve të universitetit, një ndër arsyet kryesore të këtij interesi është mundësia që këto profesione ofrojnë në tregun e punës, ku kërkesa për specialistë të fushave inxhinierike mbetet e lartë dhe perspektivat për punësim e paga janë të favorshme.
Pjesa e mbetur e kuotave pritet të plotësohet gjatë raundit të dytë të regjistrimeve. Mes programeve me perspektivë të mirë për tregun europian është edhe Inxhinieria Matematike, e cila mundëson vijimin e studimeve në programe të avancuara inxhinierike në universitete europiane.
Universiteti Politeknik ka ruajtur të njëjtin numër kuotash, pavarësisht rritjes së kërkesës, me synimin për të garantuar cilësinë e mësimdhënies dhe të procesit akademik./mxh
