Last Updated on 30/01/2026 by EL
Nga Guiseppe Sarcini- Corriere Della Sera
Donald Trump shpalli një javë armëpushimi në Ukrainë, për shkak të të ftohtit. Volodymyr Zelensky shpreson natyrisht, por nuk e fsheh skepticizmin, i cili, për më tepër, ndahet edhe nga kryeqytetet kryesore evropiane. Gjatë vitit të fundit, presidenti amerikan e ka ndryshuar shumë herë qëndrimin e tij ndaj Vladimir Putinit. Ndërkohë, udhëheqësi rus është shfaqur me fjalë i gatshëm për dialog, por në praktikë ka vazhduar bombardimet brutale mbi qytetet ukrainase.
Që nga rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, ai ka telefonuar shtatë herë “Vladimirin”. Telefonata e parë daton më 18 mars 2025. Dialogu në distancë u intensifikua gjatë pranverës dhe verës, me katër biseda të tjera, deri sa u arrit te takimi ballë për ballë në Anchorage, Alaska, më 15 gusht. Në gjashtë-shtatë muajt e parë të vitit, shefi i Shtëpisë së Bardhë alternoi hapje dhe afrime me shpërthime të papritura zemërimi. Siç dihet, gjatë fushatës elektorale, Trump kishte premtuar se do t’i jepte fund luftës në Ukrainë brenda 24 orëve.
Në fillim të mandatit të tij, ai iu drejtua menjëherë Moskës me një mesazh pajtues dhe, njëkohësisht, rriti në maksimum presionin mbi Zelenskyn. Më 28 shkurt, Trump dhe zëvendëspresidenti J.D. Vance poshtëruan mysafirin ukrainas në një takim dramatik dhe tronditës në Zyrën Ovale, përpara kamerave të gjithë botës. Përfshirë edhe ato ruse.
Megjithatë, Putini nuk i ngadalësoi operacionet ushtarake, duke shkaktuar irritim në Uashington. Më 24 prill, presidenti i Shteteve të Bashkuara shkroi në platformën e tij sociale «Truth»: “Vladimir, ndalo! Po vdesin 5 mijë ushtarë në javë”.
Dy ditë më vonë, më 26 prill, ndodhi ajo që dukej se mund të bëhej një ngjarje historike: takimi ballë për ballë mes Zelenskyt dhe Trumpit, ulur në dy karrige të vendosura në Bazilikën e Shën Pjetrit, ditën e funeralit të Papa Françeskut. U mendua se kishte ardhur momenti i kthesës: qeveria amerikane do ta vinte Putinin me shpatulla pas murit, duke e detyruar të negocionte. Por, edhe një herë tjetër, rusët u përgjigjën me raketa dhe bomba mbi Ukrainë. Trump reagoi me një tjetër postim në Truth.
“Putini nuk kishte asnjë arsye për të lëshuar raketa mbi civilë, mbi qytete dhe fshatra të Ukrainës, siç ka bërë ditët e fundit. Më vjen të mendoj se nuk dëshiron ta ndalë luftën, por thjesht po më mashtron dhe duhet të përballet në një mënyrë tjetër, përmes bankave ose sanksioneve dytësore? Shumë njerëz po vdesin!”,shkroi Trump.Linja e ashpër trumpiane rezistoi edhe rreth një muaj. Në fund të majit, Trump u shpreh kështu. “Putinit i ka ndodhur diçka, është çmendur plotësisht! Nëse dëshiron të pushtojë gjithë Ukrainën, kjo do të çojë në rënien e Rusisë!”. Ndërkohë, megjithatë, ai i besoi të dërguarit të tij, Steve Uitkoff, detyrën për të rilidhur negociatat me Moskën. Diplomacitë e dy vendeve filluan të përgatisnin një sammit përfundimtar mes liderëve.Kështu erdhi momenti i së vërtetës, në mes të gushtit, në Alaskë. Mediat amerikane dhe evropiane, por mbi të gjitha kancelaritë e Kontinentit të Vjetër, mbetën të tronditura nga skenografia e samitit, një pritje miqësore, me tapet të kuq të gjatë.
Sot, duke pare faktet mund të thuhet se takimi nuk prodhoi asnjë rezultat. Trump u tërhoq në të gjitha frontet: hoqi dorë nga kërkesa për armëpushim dhe njoftoi se brenda pak ditësh do të mbahej një samit trepalësh mes rusëve, ukrainasve dhe amerikanëve. Ende po e presim.Që prej atij momenti, Shtëpia e Bardhë rifilloi të lëkundej, duke vënë në provë të fortë diplomacitë evropiane dhe qëndrueshmërinë nervore të Zelenskyt dhe të ukrainasve. Negociatat vazhdonin me vështirësi. Në nëntor u shfaq plani me 28 pika i përgatitur nga Witkoff dhe bashkëbiseduesit rusë. Ishte një skemë qartazi e anuar në favor të Moskës, edhe pse në një shtojcë. SHBA-të deklaronin se donin të ofronin «garanci sigurie për Kievin».
Zelensky u vu menjëherë në lëvizje dhe me mbështetjen e evropianëve arriti të paraqesë një dokument tjetër më të balancuar. Por pika kyçe mbetet ende sot: angazhimi amerikan për të kontribuar në mbrojtjen ushtarake të Ukrainës, pasi të arrihet paqja. Trump vazhdon të jetë i bindur se vetëm një tjetër samit me Putinin mund ta zgjidhë situatën. Vjeshtën e kaluar, për disa javë, u përfol për një takim në Hungari, por nuk u realizua. Tani lufta vazhdon, ashtu si edhe negociatat e drejtuara nga Uitkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i Trumpit. Dhe ja ku jemi te episodi i fundit, i ditës së djeshme, e enjte 29 janar: kërkesa për një armëpushim për shkak të të ftohtit.
