Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në SHBA, ku autoritetet në Los Anxhelos kanë bërë të ditur se artisti i njohur D4vd (emri i vërtetë David Anthony Burke), 21 vjeç, është arrestuar në kuadër të hetimeve për vdekjen e një vajze 14-vjeçare, Celeste Rivas Hernandez, e cila u gjet e pajetë në një automjet Tesla të konfiskuar që rezultonte i regjistruar në emër të tij.
Sipas Departamentit të Policisë së Los Anxhelosit (LAPD), Burke është ndaluar të enjten dhe po mbahet pa të drejtë lirimi me kusht, ndërsa çështja pritet t’i kalojë Prokurorisë së Qarkut për shqyrtim dhe vendim mbi ngritjen e mundshme të akuzave.
Prokurorët kanë deklaruar se janë në dijeni të arrestimit dhe se materiali hetimor do të analizohet nga njësia për Krime të Rënda, e cila do të përcaktojë nëse ka prova të mjaftueshme për procedim penal. Deri më tani, autoritetet theksojnë se hetimi është ende në zhvillim dhe nuk janë publikuar detaje shtesë.
Sipas burimeve policore, artisti është arrestuar mbi bazën e një urdhri të lëshuar për arsye të dyshimit të arsyeshëm dhe thuhet se nuk ka bashkëpunuar plotësisht me hetuesit, megjithëse mbrojtja e tij i ka hedhur poshtë këto pretendime./mxh
