Last Updated on 17/04/2026 by EL
Ngjarja tragjike e djegies së pallatit në qendër të Tiranës ka rikthyer në vëmendje nevojën urgjente për kulturën e sigurimit në Shqipëri. Në një bisedë për Gogo.al, krijuesi dhe drejtuesi i “Sigal Insurance Group”, Avni Ponari, zbërthen arsyet pse në vendin tonë ende mbizotëron mosbesimi.
Duke marrë shkas nga zjarri i fundit që la shumë familje pa shtepi, Ponari shpjegon se si do të ndryshonte situata nëse pronat do të ishin të siguruara. Ai vë theksin te fakti se, ndonëse rreziqet janë të pranishme – nga zjarret te dëmtimi i të mbjellave apo problemet shëndetësore – gatishmëria e shqiptarëve për t’u mbrojtur financiarisht mbetet sërish e ulët.
“Pasojat janë shumë të rënda dhe përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi ndërtuesin dhe mbi ata që kanë ndjekur punimet. Gjëja e parë që duhet garantuar në një pallat është mbrojtja nga zjarri.
Nuk ka problem që në aspektin termik të përdoren materiale si polistireni për izolim, por problemi lind kur këto materiale përdoren pa standardet e duhura të sigurisë ndaj zjarrit. Në rast zjarri, ato bëhen shumë të rrezikshme. Ka raste kur pas një ngjarjeje të tillë, gjatë verifikimeve konstatohet se nuk është djegur vetëm një apartament apo kat, por edhe katet sipër, gjë që normalisht nuk duhet të ndodhë. Zjarri nuk duhet të përhapet në këtë mënyrë.
Këto janë pasoja të mungesës së kontrollit dhe të përgjegjësisë, që duhet të nisë që nga projekti e deri në përfundimin e ndërtimit.
Nga ana tjetër, sigurimi është shumë i domosdoshëm. Njerëzit nuk qëndrojnë gjithmonë në shtëpi dhe rreziqet janë të shumta. Një apartament mund të sigurohet jo vetëm nga zjarri, por edhe nga tërmeti, përmbytjet apo vjedhja.
Problemi është se shumë njerëz nuk kanë besim te sigurimet. Por në fakt, sigurimi është një kontratë e rregullt ligjore. Ti paguan një shumë të caktuar dhe kompania merr përsipër riskun. Për shembull, mund të paguash 2 mijë euro dhe, në rast dëmi, kompania të mbulojë deri në 100 mijë euro. Kjo është një marrëveshje e firmosur dhe e detyrueshme ligjërisht për të dyja palët.
Sigurisht, është shumë e rëndësishme që kontrata të lexohet me kujdes: çfarë mbulohet dhe çfarë përjashtohet.”
Biseda e plotë është publikuar online dhe mund të ndiqet në linkun e mëposhtëm:
