Last Updated on 17/08/2026 by Anisa
Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Fundi i Arratisë”, duke vënë në pranga shtetasin Ylli Zalla, i shpallur person shumë i kërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Brendshëm, i cili ka përgëzuar strukturat e Policisë së Shtetit për finalizimin me sukses të operacionit.
Operacioni është zhvilluar në Krujë dhe në të janë angazhuar Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, si dhe efektivë të Komisariatit të Policisë Krujë.
Sipas njoftimit, Ylli Zalla i shmangej drejtësisë, ndërsa pas operacionit të zhvilluar nga strukturat e posaçme të Policisë së Shtetit është bërë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i tij.
Ministri i Brendshëm ka vlerësuar punën e strukturave të përfshira në operacion, duke e cilësuar kapjen e Zallës si një tjetër rezultat të rëndësishëm në luftën kundër personave të kërkuar nga drejtësia.
Kush është Ylli Zalla?
Ylli Zalla rezulton në kërkim që prej nëntorit 2025, kur në banesën e tij u zbulua arsenal armësh, pas hetimeve lidhur me atentatin në Rinas. Zalla dyshohet si bashkëpunëtor në atentatin e nëntorit 2025 ku u vranë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, akuza të cilat nuk u vërtetuan asnjëherë.
Ndërkohë 12 vjet më parë, Ylli Zalla është arrestuar për prodhim të bombave artizanale dhe i përfshirë edhe në prodhim dhe shitje droge. Në atë kohë dyshohej për lidhje me grupin ISIS për rekrutime të shqiptarëve për xhihad. Vite më parë ai kishte kërcënuar me jetë edhe pronarin e një kompanie çimentoje në Fushë Krujë./ad
