Miliarderi rus Valery Kustov, i njohur në vend si “mbreti i majonezës”, është arrestuar në Moskë së bashku me disa drejtues të kompanisë së tij Efko, nën dyshimet për një skemë mashtrimi që lidhet me prodhimin e dronëve ushtarakë.
Sipas gazetës belge Le Soir, që citon media ruse, hetimi lidhet me prodhimin e dronit transportues C-80, i përdorur nga ushtria ruse për furnizimin e trupave në frontin e luftës në Ukrainë. Ky model droni, sipas raportimeve, ka shkaktuar pakënaqësi në radhët e komandës ushtarake ruse.
Autoritetet ruse dyshojnë se kompania Efko, e cila prej vitit 2023 është përfshirë edhe në industrinë e dronëve duke ndërtuar një fabrikë në rajonin e Samarës, ka përvetësuar fonde publike të destinuara për zhvillimin e prodhimit vendas.
Sipas hetimeve paraprake, kompania blinte dronë të prodhuar në Kinë, i importonte në Rusi dhe më pas i etiketonte si produkte të prodhuara në vend, me qëllim përfitimin e subvencioneve shtetërore.
Valery Kustov ka një pasuri të vlerësuar në rreth 1.1 miliardë euro, të krijuar kryesisht nga biznesi i prodhimit të majonezës dhe produkteve të tjera ushqimore. Arrestimi i tij konsiderohet një nga rastet më të bujshme të muajve të fundit në Rusi, pasi përfshin dyshime për keqpërdorim të fondeve publike të destinuara për industrinë ushtarake./mxh
