Kriza migratore në enklavën spanjolle të Ceutës po merr përmasa dramatike. Sipas të dhënave të fundit, rreth 50 mijë emigrantë kanë hyrë në territor brenda pak orësh, ndërsa bilanci i viktimave ka shkuar në 34 të vdekur, duke e kthyer situatën në një nga emergjencat më të rënda humanitare në kufijtë e Bashkimit Evropian.
Përballë zhvillimeve, Komisioneri i BE-së për Punët e Brendshme, Magnus Brunner, deklaroi se nuk ka flukse emigrantësh nga Ceuta drejt vendeve të tjera të BE-së dhe se kontrollet në kufijtë e zonës Schengen mbeten plotësisht në fuqi. Ai vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin mes Spanjës dhe Marokut për menaxhimin e krizës dhe riatdhesimin e shpejtë të emigrantëve.
Ndërkohë, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez e lidhi valën e emigrantëve me dezinformimin e përhapur nga rrjetet e trafikimit të qenieve njerëzore. Sipas tij, trafikantët kanë manipuluar një vendim të Gjykatës Supreme të Spanjës, duke përhapur pretendimin se personat që mbërrijnë në vend nga deti nuk mund të riatdhesohen.
Kriza ka shkaktuar gjithashtu përplasje politike brenda Bashkimit Evropian. Italia ka kritikuar mënyrën se si Spanja po menaxhon situatën, ndërsa disa vende të tjera kanë shprehur solidaritet me Madridin dhe kanë bërë thirrje për rikthimin e kontrollit në kufijtë e jashtëm të BE-së.
Bilanci prej 34 viktimash e ka bërë krizën në Ceuta një nga ngjarjet më të rënda migratore të viteve të fundit në kufijtë evropianë, ndërsa autoritetet spanjolle dhe ato evropiane po përpiqen të frenojnë fluksin e emigrantëve dhe të shmangin një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës./mxh
