Last Updated on 13/08/2025 by adminfjala
Nga Shira Efron*
Një lumë imazhesh të fëmijëve të uritur në Rripin e Gazës ka tërhequr vëmendjen e botës, duke thelluar zemërimin ndaj veprimeve të Izraelit në territor dhe duke e izoluar më tej atë nga kombet e tjera.
Por brenda Izraelit narrativi është ndryshe. Historia e urisë në Gaza mezi ka bërë jehonë krahasuar me kriza dhe tragjedi të tjera: njoftimet e pandërprera për vdekjet e ushtarëve të rinj izraelitë; trazirat politike mbi përjashtimin nga shërbimi ushtarak të hebrenjve ultra-ortodoksë dhe përpjekjet e qeverisë për të shkarkuar figurat kryesore demokratike dhe profesionale; videot tronditëse të pengjeve të dobësuar, njëri prej të cilëve u detyrua të gërmonte varrin e vet para kamerës, pas pothuajse dy vitesh në robëri çnjerëzore.
Më keq se një mungesë dhembshurie, shumë izraelitë mohojnë realitetin e qartë: Gaza është në kaos dhe në prag të një urie të përhapur, dhe Izraeli ka luajtur një rol kryesor në krijimin e këtij gjendjeje të tmerrshme.
Qëndrimi vjen nga lart. “Nuk ka uri në Gaza,” ka deklaruar kryeministri Benjamin Netanyahu. Në një konferencë shtypi të dielën ai fajësoi Hamasin dhe median ndërkombëtare për përhapjen e një “fushate globale gënjeshtrash.” Ai shtoi se “të vetmit që po uriten me qëllim” janë pengjet izraelite në Gaza.
Kjo ndjenjë është e përhapur në Izrael. Një sondazh në fund të korrikut tregoi se gati 80% e hebrenjve izraelitë besojnë se Izraeli po përpiqet të shmangë vuajtjet e gazanëve. Po aq — kryesisht nga e djathta dhe qendra — thanë se nuk shqetësohen nga raportimet për uri.
Megjithëse ka shenja se tragjedia po fillon të bëhet e dukshme për izraelitët, verbëria e qëllimshme e shoqërisë duhet të hiqet që Izraeli të fillojë të dalë nga kënetat e Gazës dhe të riparojë imazhin e tij të dëmtuar. Hapi i parë për të zgjidhur një problem është ta pranosh se ekziston.
Kur bëhet fjalë për Gazën, izraelitët jetojnë në një “dhomë jehone”, duke u mbështetur kryesisht te media lokale, e cila shpesh praktikon autocensurë lidhur me gabimet izraelite dhe vuajtjet palestineze. Por duhet kuptuar edhe emocionet e forta që i kanë bërë shumë izraelitë të mbyllin sytë dhe veshët ndaj vuajtjeve të gazanëve dhe të pranojnë një version tjetër të realitetit.
Shumë ndjejnë zemërim ndaj humanitarëve dhe organizatave ndërkombëtare që, ndërsa kritikojnë çdo hap të Izraelit, duket se minimizuan krimet e tmerrshme të Hamasit më 7 tetor 2023, kur rreth 1.200 persona në Izrael u vranë dhe rreth 250 u morën peng. Pesëdhjetë ende mbahen, 20 prej të cilëve besohet se janë gjallë. Ka një ndjenjë të thellë padrejtësie për kërkesat që Izraeli të lejojë transferta të mëdha ndihme në Gaza, ndërkohë që shumë pengje të kthyer tregojnë se janë uritur dhe keqtrajtuar edhe kur kishte ushqim të mjaftueshëm për kapësit e tyre.
E kaluara e afërt mbetet e hidhur në kujtesën izraelite: tërheqja e vitit 2005 nga Gaza, pasuar nga marrja e pushtetit nga Hamasi në vitin 2007, dhe gati dy dekada përpjekjesh për ta frenuar atë me operacione ushtarake të kufizuara dhe lëshime ekonomike, si lejet e punës për gazanët. Të gjitha duken të kota përballë dëshirës së Hamasit për të shkatërruar Izraelin. Barbaria e 7 tetorit, e kombinuar me brohoritjet nga armiqtë dhe heshtjen nga shumë miq, e forcoi bindjen se konflikti është një luftë e dhunshme për tokë dhe sovranitet.
Në rrjetet sociale izraelite qarkullojnë video nga Gaza që tregojnë tregje me ushqim, restorante të hapura, njerëz të armatosur që grabisin ndihmat. Ato mund të jenë të vërteta, por shpesh janë të vjetra ose nuk tregojnë pamjen e plotë. Megjithatë, ato ndihmojnë në ndërtimin e një narrative alternative: Ka ushqim të mjaftueshëm, por OKB-ja nuk e shpërndan siç duhet; Hamasi dhe bandat e marrin, ndërsa Izraeli bën ç’të mundet.
Paralajmërimet për uri kanë hasur skepticizëm racional: Pavarësisht alarmimeve të përsëritura nga IPC — autoriteti ndërkombëtar për shpalljen e urisë — nuk ka prova të qarta që parashikimet e tyre janë realizuar në shkallë të gjerë, duke bërë që publiku izraelit t’i shohë ato si pjesë të propagandës anti-izraelite.
Izraelitët fajësojnë edhe OKB-në, e cila, megjithë vështirësitë objektive, ka zgjedhur një qasje parimore mbi pragmatizmin. Që nga 19 maji, pothuajse 90% e ndihmave ushqimore të OKB-së janë kapur nga grupe të armatosura ose turma të uritura. Edhe pse Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 2720 për të përshpejtuar dhe monitoruar ndihmat, vetëm në maj OKB shtoi një sistem online për monitorim.
Për izraelitët, realiteti është ky: Izraeli, një vend me të meta por jetik, po lufton një grup terrorist të lig që mund të ndalojë çdo gjë në çdo moment, por nuk e bën sepse e urren Izraelin dhe nuk kujdeset për popullin e vet.
Megjithatë, ajo që ndodh në Gaza flet vetë: njerëzit po vdesin nga uria dhe më të prekshmit — të moshuarit, të porsalindurit, të sëmurët — janë viktimat e para.
Edhe pas gati dy vitesh lufte, Izraeli nuk ka një strategji humanitare koherente për Gazën, duke e lidhur ndihmën me kalkulimet politike të Netanyahut. Bllokimi i ndihmave në mars, pas një armëpushimi ku hynë qindra mijëra ton ushqime, e futi Gazën në krizë të thellë. Synimi ishte dobësimi i Hamasit dhe presioni për dorëzim, por kjo ishte jo vetëm moralisht e gabuar, por edhe strategjikisht e dështuar: uria nuk do ta detyronte Hamasin të dorëzohej.
Në maj, Izraeli u përpoq të anashkalonte sistemin e OKB-së me Fondacionin Humanitar të Gazës, por mungesa e furnizimeve dhe rritja e çmimeve e bënë shpërndarjen kaotike dhe të rrezikshme, me mbi 210 vdekje nga kequshqyerja që nga fillimi i luftës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi.
Kriza nuk është vetëm uria: shumica e popullsisë është zhvendosur, mungon uji, kanalizimet, kujdesi shëndetësor është shkatërruar. Megjithëse teorikisht nuk ka më kufizime për ndihmën, Izraeli ende refuzon vizat e punës për stafin e OKB-së dhe organizatat ndërkombëtare.
Kohët e fundit, ka disa shenja të pranimit të situatës: janë vendosur korridore humanitare, janë bërë shpërndarje nga ajri dhe pauza të përkohshme të luftimeve. Media kryesore dhe intelektualët kanë filluar të flasin hapur për urinë. Artistë dhe akademikë kanë bërë peticione “Ndalo tmerrin në Gaza”.
Izraeli ka luajtur një rol kyç në krijimin e kësaj krize, dhe vazhdimi i verbërisë ndaj këtij fakti vetëm do të përkeqësojë situatën, do të radikalizojë palestinezët dhe do të izolojë më tej Izraelin. Detyrimet ligjore dhe morale nuk ndryshojnë për shkak të së keqes së armikut.
Izraelitët duhet të shohin përtej dhimbjes së tyre dhe të pranojnë realitetin e ashpër në Gaza dhe përgjegjësinë e tyre për të. Pastaj duhet të veprojnë.
*Dr. Efron është drejtoreshë e kërkimeve të politikave në Israel Policy Forum/
Përgatiti për botim: L.Veizi
