Palestinezët e zhvendosur në qytetin e Gazës thanë se kushtet e jetesës nuk janë përmirësuar, edhe pasi Izraeli njoftoi se ka rikuperuar trupin e pengut të fundit që mbahej në enklavë.
“Të shtënat nuk kanë pushuar. Gjatë gjithë natës pati luftime dhe shpërthime dhe ne nuk e dimë kur do të marrë fund kjo situatë. Ata e morën trupin e fundit izraelit, por kur do të hapen kalimet kufitare? Pse nuk lejojnë hyrjen e karvanëve dhe ndihmave? Ne kemi mbetur në rrugë,” u shpreh një nga të zhvendosurit, Shaher al-Yaziji.
Izraeli njoftoi të hënën, më 26 janar, se ka rikuperuar eshtrat e pengut të fundit të mbajtur në Gaza, duke përmbushur një nga kushtet kyçe të fazës fillestare të planit të presidentit amerikan Donald Trump për përfundimin e luftës në territorin palestinez.
Sipas ushtrisë izraelite, eshtrat i përkasin oficerit të policisë Ran Gvili, i cili ishte mbajtur në Gaza për më shumë se 840 ditë. Trupi i tij është identifikuar dhe do të kthehet në Izrael për t’u varrosur.
Rikuperimi i eshtrave mund të hapë rrugën për një rihapje të kufizuar të pikës kufitare Rafah mes Gazës dhe Egjiptit, hyrja kryesore e enklavës drejt botës së jashtme, në përputhje me premtimet izraelite.
Komiteti palestinez i teknokratëve, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për administrimin e Gazës, ka deklaruar se pika kufitare pritet të hapet gjatë kësaj jave, megjithatë autoritetet izraelite nuk dhanë një afat të saktë.
Ran Gvili u vra gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 ndaj komuniteteve në jug të Izraelit, sulm që nxiti ofensivën izraelite në Gaza. Pamje të transmetuara nga mediat izraelite treguan dhjetëra ushtarë izraelitë të përqafuar, duke kënduar në vendin ku u gjet trupi, ndërsa në rrjetet sociale, nëna e tij e quajti djalin hero./mxh
