Kompania Mattel ka ngacmuar fansat e filmit hit të Netflix, “K-Pop Demon Hunters”, duke prezantuar një linjë të re kukullash dhe koleksionesh, të cilat pritet të dalin në treg më vonë gjatë këtij viti. Të dyja kompanitë synojnë të mbajnë gjallë interesin e publikut përmes produkteve të licencuara, ndërsa fansat presin për përmbajtje të re.
“K-Pop Demon Hunters” është filmi më i shikuar ndonjëherë në Netflix, me rreth 480 milionë shikime në gjysmën e dytë të vitit 2025, duke lënë pas bindshëm filmin e dytë më të ndjekur të asaj periudhe, “Happy Gilmore 2”.
Lodrat pritet të dalin në treg globalisht gjatë verës, rreth një vit pas publikimit të filmit në qershor, ndërsa Mattel shpreson që koleksionet e reja të forcojnë më tej popullaritetin e filmit, pas humbjes së sezonit të shitjeve gjatë festave të fundvitit të kaluar.
“K-Pop Demon Hunters ka të gjithë elementët që e bëjnë një markë të veçantë: personazhe të jashtëzakonshme, histori të forta dhe muzikë fantastike që rezonon me fëmijët dhe fansat e të gjitha moshave,” u shpreh Roberto Stanichi, drejtor global i markës në Mattel, gjatë Panairit Ndërkombëtar të Lodrave në Nuremberg të Gjermanisë.
Sipas Netflix, filmi ka arritur një sukses të paprecedentë dhe mbetet ende në dhjetëshen më të shikuar në disa vende. Për më tepër, filmi ka marrë edhe një nominim për çmimin Oscar, duke u shndërruar në një fenomen kulturor.
Për të përmbushur kërkesën e lartë të konsumatorëve, Mattel ka përshpejtuar procesin e prodhimit të lodrave. Kukullat e frymëzuara nga personazhet kryesore Rumi, Zoey dhe Mira do të jenë fillimisht të disponueshme në dy versione, përfshirë ato që interpretojnë këngën hit “Golden”.
Produktet e tjera, përfshirë personazhe nga grupi rival Saja Boys, do të lançohen përmes markave të njohura si Polly Pocket, UNO dhe Little People Collector, ndërsa disa koleksione pritet të dalin në treg gjatë vjeshtës, pak para sezonit të blerjeve të festave./mxh
