Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur Monakon, duke plagosur rëndë biznesmenin ukrainas Vadim Ermolaev, bashkëshorten e tij Anna dhe djalin e tyre 23-vjeçar. Autoritetet e principatës dyshojnë se bëhet fjalë për një atentat të mirëorganizuar, ndërsa autori i dyshuar është ende në arrati.
Sipas mediave franceze, kamerat e sigurisë kanë filmuar një person që vendos një çantë shpine në hyrje të një pallati në lagjen luksoze La Rousse, përpara se të largohej në këmbë drejt kufirit me Francën. Pak çaste më vonë, një pajisje shpërthyese e improvizuar shpërtheu në momentin kur familja Ermolaev po kthehej në apartamentin e saj pas një vakti jashtë.
Vadim Ermolaev dhe bashkëshortja e tij pësuan plagë shumë të rënda dhe ndodhen në gjendje kritike, ndërsa djali i tyre u plagos më lehtë. Të tre u transportuan me urgjencë në një spital në Nisë të Francës.
Sekretari i Shtetit i Monakos, Christophe Mirmand, deklaroi se gjithçka të çon në përfundimin se bëhet fjalë për një sulm të qëllimshëm. Ai theksoi se është hera e parë në historinë e principatës që regjistrohet një akt i tillë.
Hetimet paraprake tregojnë se pajisja shpërthyese përmbante bulona dhe copëza metali për të rritur efektin shkatërrues. Pas shpërthimit, policia aktivizoi planin e emergjencës “Red Plan”, ndërsa u organizua një operacion i gjerë kërkimi me helikopterë dhe kontrolle të shtuara në kufirin me Francën.
Vadim Ermolaev konsiderohet një nga biznesmenët më të pasur me origjinë ukrainase dhe renditet mes njerëzve më të pasur të Ukrainës. Ai u zhvendos në Monako pas nisjes së luftës në Ukrainë dhe në vitin 2023 u sanksionua nga autoritetet ukrainase për aktivitetet e biznesit në Krimenë e pushtuar.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje në Monako. Princi Albert ndërpreu vizitën e tij në Gjermani për t’u kthyer në principatë, duke e cilësuar sulmin si “një tronditje për të gjithë komunitetin monegask”. Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar./ad
