Gjykata Evropiane e Audituesve ka zbuluar probleme në mënyrën se si më shumë se gjysma e agjencive të Bashkimit Evropian, kanë menaxhuar paratë gjatë vitit 2025.
Sipas raportit të publikuar sot, kontrollorët gjetën mangësi në 28 nga 43 agjencitë e BE-së. Mes tyre janë edhe “Frontex”, agjencia që merret me mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së, dhe Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).
“Lajmi i mirë është se paratë publike menaxhohen përgjithësisht mirë, por problemet që kemi zbuluar tregojnë, se kontrollet e rrepta janë të domosdoshme për të mbrojtur paratë e taksapaguesve të BE-së”, tha Petri Sarvamaa, anëtar i Gjykatës Evropiane të Audituesve, përgjegjës për kontrollin vjetor të financave.
Probleme me kontratat dhe tenderët publikë
Sipas Gjykatës, ashtu si në vitet e mëparshme, problemet më të shumta u gjetën te tenderët publikë, procedurat përmes të cilave institucionet zgjedhin kompanitë që do të kryejnë punë ose do të ofrojnë shërbime kundrejt pagesës.
Mangësitë kishin të bënin si me mënyrën e përzgjedhjes së kompanive fituese, ashtu edhe me administrimin e kontratave pasi ato ishin lidhur.
Kontrollorët evidentuan probleme edhe në dhënien e granteve, fondeve që jepen për projekte të caktuara, si dhe në çështjet që lidhen me punësimin e personelit.
Megjithatë, Gjykata vlerësoi se llogaritë financiare të 42 prej 43 agjencive ishin të besueshme.
Përjashtim bëri Instituti Evropian i Inovacionit dhe Teknologjisë (EIT), i cili nxit bashkëpunimin mes universiteteve, institucioneve kërkimore dhe kompanive.
Sipas kontrollorëve, ky institut duhej të kishte marrë më shumë parasysh mundësinë, që të mos arrinte të rikuperonte plotësisht disa shuma prej miliona eurosh që të tjerët i detyrohen.
Buxheti i agjencive arrin në 5,9 miliardë euro
43 agjencitë e BE-së ndodhen në 23 shtete anëtare dhe në fund të vitit 2025 kishin më shumë se 17 mijë punonjës.
Ato kryejnë detyra teknike, shkencore dhe administrative, si dhe zbatojnë rregulla në fusha të ndryshme, përfshirë mbrojtjen e kufijve, barnat dhe sigurinë ushqimore.
Në vitin 2025, buxheti i tyre i përgjithshëm arriti në 5,9 miliardë euro, nga 5,3 miliardë euro që ishte një vit më parë.
Në të dy vitet, shpenzimet e këtyre agjencive përbënin rreth 4% të buxhetit të përgjithshëm të Bashkimit Evropian./mxh
