Last Updated on 25/11/2026 by EL
Parlamenti i Australisë ka miratuar të mërkurën një paketë të re ligjore për sigurinë në internet, e cila parashikon masa të rrepta ndaj kompanive të mëdha të teknologjisë, duke i ekspozuar ato ndaj gjobave që mund të arrijnë miliarda dollarë.
Legjislacioni, i njohur si Akti i Detyrës Dixhitale të Kujdesit, synon të detyrojë platformat teknologjike të marrin masa parandaluese për të reduktuar rreziqet dhe dëmet në internet përpara se ato të ndodhin.
Sipas qeverisë australiane, ligji vendos përgjegjësi më të mëdha mbi kompanitë teknologjike për garantimin e një mjedisi më të sigurt online, veçanërisht për mbrojtjen e fëmijëve dhe shoqërisë nga përmbajtjet dhe rreziqet e dëmshme.
Projektligji u miratua në Dhomën e Përfaqësuesve me 97 vota pro dhe 43 kundër, ku qeveria e Partisë Laburiste, e drejtuar nga kryeministri Anthony Albanese, zotëron shumicën parlamentare.
Duke folur përpara parlamentit, Albanese e cilësoi legjislacionin si një instrument të rëndësishëm për mbrojtjen e qytetarëve, duke theksuar se përgjegjësia për sigurinë në internet duhet të kalojë më shumë te platformat teknologjike./et
