Last Updated on 25/11/2026 by EL
Rreth 5 milionë tonë veshje hidhen çdo vit në Bashkimin Evropian, ose mesatarisht 12 kilogramë për person, duke nxitur Komisionin Evropian të ndërhyjë me rregulla të reja për industrinë e modës. Synimi është të frenohet modeli i modës së shpejtë, të reduktohen mbetjet tekstile dhe të nxitet prodhimi i veshjeve më cilësore, të riparueshme dhe të riciklueshme.
Një nga masat kryesore është ndalimi i shkatërrimit të rrobave dhe këpucëve të pashitura. Për ndërmarrjet e mesme ndalimi do të zbatohet nga viti 2030. Në vend të shkatërrimit, kompanitë duhet të orientohen drejt rishitjes, dhurimit dhe ripërdorimit të tyre.
Përmes Strategjisë për Tekstilet e Qëndrueshme dhe Qarkulluese, Brukseli synon që deri në vitin 2030 veshjet e hedhura në tregun evropian të kenë jetëgjatësi më të madhe, të përmbajnë më shumë materiale të ricikluara dhe të kenë më pak substanca të dëmshme.
Një tjetër problem që kërkon zgjidhje është riciklimi i ulët i tekstileve, pasi vetëm rreth 1% e materialeve të përdorura për prodhimin e veshjeve rikthehen në prodhimin e rrobave të reja. BE-ja synon gjithashtu të kufizojë ndotjen nga mikroplastikat që çlirohen gjatë larjes së pëlhurave sintetike dhe të rrisë përgjegjësinë e prodhuesve për mbetjet që krijojnë.
Ndryshimet synojnë të kufizojnë prodhimin dhe konsumin afatshkurtër të veshjeve, duke i dhënë më shumë hapësirë riparimit, tregut të rrobave të përdorura dhe ekonomisë qarkulluese.
Objektivi i Komisionit Evropian është që industria e modës të largohet gradualisht nga modeli i prodhimit masiv dhe të kalojë drejt produkteve më të qëndrueshme, me jetëgjatësi më të madhe dhe ndikim më të ulët në mjedis./et
