Një 44-vjeçar në Vërdovë të Pogradecit është arrestyar për armëmbajtje pa leje. Në dy banesat e tij në lagjen nr 3 janë gjetur një automatik, i fshehur nën dyshek dhe fishekë, tashmë të sekuestruara.
Njoftimi i policisë:
Goditet një rast i armëmbajtjes pa leje. Arrestohet një 44-vjeçar, të cilit iu gjetën në banesë një armë zjarri automatik dhe municion luftarak.
Sekuestrohen arma e zjarrit dhe municioni luftarak.
Si rezultat i punës parandaluese, bazuar në kontrolle, hetime dhe informacione operative, për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale, specialistët e Komisariatit të Policisë Pogradec finalizuan operacionin policor të koduar “Befasia”.
Si rezultat, u ushtrua kontroll në dy banesat që shtetasi B. B. ka në lagjen nr. 3, Pogradec, dhe në fshatin Vërdovë, Pogradec, ku u gjetën dhe u sekuestruan 1 armë zjarri automatik, së bashku me municion luftarak, të cilat ai i posedonte pa leje.
Në vijim të veprimeve procedurale, shtetasi B. B., 44 vjeç, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme./kb
