Last Updated on 09/10/2026 by Klara
Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, ka bërë të ditur se së bashku me sekretarin e përgjithshëm të FIBA-s, Andreas Zagklis, ndoqi nga afër ndeshjen e Superkupës së Femrave, në një atmosferë sportive që, sipas tij, dëshmon rëndësinë e rritjes së vëmendjes dhe mbështetjes për basketbollin e femrave.
Vizita e përfaqësuesit të FIBA-s në Shqipëri shërbeu gjithashtu si një mundësi për të diskutuar mbi perspektivën e basketbollit shqiptar dhe drejtimet kryesore të zhvillimit të tij. Në fokus ishin investimi te moshat e reja, zgjerimi i mundësive për vajzat dhe gratë në këtë sport, si dhe promovimi i basketbollit 3×3.

Në reagimin e tij, Ponari vlerësoi mbështetjen dhe gatishmërinë e FIBA-s për të vijuar bashkëpunimin me Federatën Shqiptare të Basketbollit, me synim rritjen e nivelit të lojës, krijimin e më shumë mundësive për talentet e reja dhe forcimin e përfaqësimit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Një tjetër element i rëndësishëm për të ardhmen e këtij sporti është investimi në infrastrukturën sportive, përfshirë ndërtimin e stadiumit të ri të basketbollit. Sipas Ponarit, zhvillimi i infrastrukturës do të krijojë kushte më të mira për sportistët dhe mundësi për organizimin e aktiviteteve ndërkombëtare në Shqipëri.

Në përfundim, kreu i Federatës Shqiptare të Basketbollit shprehu mirënjohjen për vëmendjen dhe mbështetjen e FIBA-s, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për të çuar përpara zhvillimin e basketbollit shqiptar dhe për të krijuar më shumë mundësi për brezat e ardhshëm./k.m
