Avokatja e 21-vjeçares që ka denoncuar një mjek në Korçë ka deklaruar para mediave se ndaj tij kanë mbërritur edhe denoncime të tjera për raste të ngjashme të pretenduara abuzimi seksual, disa prej të cilave, sipas saj, datojnë deri në 33 vite më parë, ndërsa rasti më i fundit është raportuar një vit më parë.
Sipas avokates Refxhei Tola, bëhet fjalë për një model të përsëritur sjelljeje, çka sipas saj e rëndon edhe më shumë situatën dhe ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si personi në fjalë ka vijuar të ushtrojë profesionin për një periudhë të gjatë në sistemin shëndetësor.
Ajo theksoi se kanë mbërritur denoncime të shumta dhe u bëri thirrje grave dhe vajzave që të flasin dhe të denoncojnë rastet e tyre, duke garantuar mbështetje dhe anonimitet për çdo person që paraqitet.
Avokatja vlerësoi guximin e 21-vjeçares që bëri denoncimin, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm për të nxjerrë në dritë raste të tilla.
Ajo shtoi gjithashtu se mbrojtja ende nuk është njohur me dosjen hetimore, ndërsa apeloi që institucionet e drejtësisë të reagojnë dhe të trajtojnë me seriozitet rastin, duke theksuar nevojën për ndëshkime sipas ligjit.
“Arsyeja e kësaj dekarate është se kemi marrë shumë denoncime të tjera që janë edhe të 33 viteve më parë dhe e fundit 1 vit më parë, të njëjtat raste abuzimi që janë bërë nga ana e doktorit me gra të tjera.
Ky është një rast i përsëritur që e bën edhe më të rëndë situatën, se si ka mundur të integrohet dhe të qëndrojë kaq gjatë një mjek në sistemin spitalor dhe të japë shërbim për vajza dhe djem. I jam falenderuese vajzës që mori guximin të flasë pasi ngjarje të tilla duhet të fliten.
Mendoj që është koha e duhur që drejtësia e re të reagojë, dhe të japë shembullin se këta maniakë, pedofilë nuk duhet të shkelin më mbi gjakun e fëmijëve tanë. Jemi të gatshëm të asistojmë të gjitha denoncimet e tjera që do të vijnë, ndaj ju bëj thirrje grave dhe vajzave të denincojnë, ne do ti asistojmë dhe do të garantojmë anonimatin. Këto janë fenomene që ndodhin rëndom në Shqipëri dhe nuk marrin masat ndëshkimore të caktuara sipas legjislacionit, por përfudojnë duke ja hedhur me një arrest shtëpie”, tha ajo ndër të tjera./A.D
