Last Updated on 01/06/2026 by EL
Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla, iu përgjigj nga foltorja e Kuvendit, deklaratave të bëra më parë nga Sali Berisha, i cili deklaroi se në Shqipëri nuk ka më investitorë të huaj.
Balla është shprehur se pretendimet e Berishës duhet t’i përgjigjem me shifra dhe fakte, duke theksuar se investorët e huaj në vendin tonë kanë shënuar një rritje prej 2.5 herë më shumë se në kohën kur opozita ishte në krye.
Por gjatë fjalës së tij, Balla ka ironizuar edhe garën e brendshme të PD, duke uruar Berishën për fitoren, “urime dhe në fitore të tjera, u pafshim gjithmonë.”
“Për publikun vlen që gënjeshtrave t’u përgjigjesh me shifra dhe fakte. Por në parantezë, nuk mund të mos e vlerësoj qëndrimin pro investimit. Bëhet fjalë për një investim historik, më të madhin në historinë e Shqipërisë. U tha këtu nga deputeti parafolës, zoti Sali Berisha, se investimet e huaja kanë rënë. Tani investimet e huaja direkte në vitin 2012, që mbahet si viti më i mirë dhe i fundit i qeverisjes suaj, zoti Sali, ishin 666 milionë euro. Ndërsa në vitin 2025, shifra e investimeve të huaja arrin në 1.64 miliardë euro.
Me matematikën e Lulit mund të rezultojë që 1.64 miliardë është më e madhe se 666 milionë. Por me matematikën normale, 666 milionë në 1.64 miliardë hyjnë të paktën 2.5 herë. Ndërsa investimet e huaja në Shqipëri janë rritur me 2.5 herë krahasuar me kohën kur zotëria qëndronte në krye të Partisë Demokratike. Dhe, meqë jemi këtu, urime për fitoren. Ishte një garë e fortë dhe deri në fund nuk dihej se kush do të fitonte. Por pas kësaj gare kaq të fortë, të luftuar deri në minutën e fundit, fitoi zoti Sali. Urime dhe në fitore të tjera, u pafshim gjithmonë.
Meqë u tha diçka edhe për Aeroportin e Vlorës, ai po ndërtohet në një zonë ku ka pasur gjurmë aktiviteti aeroportual prej më shumë se 100 vitesh. Nuk ka pasur asnjëherë debat për vendndodhjen e Aeroportit të Vlorës,” u shpreh Balla./et
