Last Updated on 29/09/2025 by adminfjala
Tiranë, 29 Shtator 2025 – Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë fjalës së tij në Konferencën e Kryetarëve, theksoi rëndësinë e përfshirjes aktive të Kuvendit në mbikëqyrjen e institucioneve të pavarura dhe përafrimin e praktikave parlamentare me modelet europiane.
Balla deklaroi se Kuvendi ka miratuar tashmë fushat e përgjegjësisë së komisioneve dhe se modeli i ndjekur është në përputhje me standardet e shumë parlamenteve të vendeve anëtare të BE-së.
“Është normale që Komisioni i Nismave Qytetare dhe Mbikëqyrjes Institucionale të jetë i përfshirë në raportimin e institucioneve të pavarura, në mbledhje të përbashkëta. Kemi nenin 37 të Rregullores që e rregullon qartë këtë proces,” u shpreh Balla.
Ai vuri në dukje se raportimet e institucioneve të pavarura gjatë viteve kanë lënë shumë për të dëshiruar dhe theksoi nevojën që ato të mos jenë thjesht formale apo njëherë në vit, por të zhvillohen periodikisht.
“Në këtë fazë të rëndësishme të procesit të integrimit europian, Kuvendi duhet të ngrihet në lartësinë që kërkon ky proces. Ka ardhur koha të rishikojmë nenin 103 të Rregullores,” tha Balla.
Në përmbyllje, ai kërkoi që edhe Komisioni për Koordinimin e Institucioneve të Pavarura (KKIE) të rishikohet në dritën e ndryshimeve të propozuara, ndërsa propozimet aktuale i cilësoi si të qëndrueshme, me një saktësim shtesë që pritet të jepet nga Kryetari i Komisionit të Ligjeve, lidhur me kompetencat e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Mjeteve të Informimit./kb
