“Shqipëria nuk ka qenë kurrë më afër Europës”, u shpreh Taulant Balla në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian që ka në fokus negociatat. Ndërsa iu referua rezolutës së PE, Balla nënvizoi arritjet, por shtoi se duhen lexuar edhe rekomandimet.
Ai e quajti jo vetëm një rrugëtim drejt BE, por “projekt transformimi kombëtar” që po reformon shtetin, legjislacionin dhe përmirëson standardet.
“Shqipëria nuk ka qenë kurrë më afër Europës sesa është sot. Nuk flitet për ngecje, nuk flitet për humbje drejtimi, pasiguri, flitet vetëm për avancim, ritëm, besueshmëri, për një Shqipëri që po hyn seriozisht në fazën përmbyllëse të rrugës europian. Secila palë duhet ta lexojë me përgjegjësi këtë proces. të gjithë bashkë duhet të punojë për ta jetësuar këtë aspiratë historike”, tha kreu i grupit parlamentar të PS.
Balla shtoi se integrimi nuk lidhet me qeverinë, por me aspiratën e përbashkët.
“Sot është e rëndësishme të nënvizojmë se integrimi europian nuk është pronë e një qeverie, por një aspiratë historike dhe objektiv strategjik i përbashkët”, tha Balla.
