Mbulimi i kredisë bankare me kolateral mbeti në nivele të larta edhe gjatë vitit të kaluar.
Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, 76% e kredisë së dhënë nga sektori bankar ishte e siguruar me kolateral.
Kreditë me kolateral në formën e pasurive të paluajtshme kishin peshën kryesore, me rreth 60% të kredisë së kolateralizuar ose 48% të tepricës së kredisë.
Në fund të vitit 2025, Banka e Shqipërisë raportonte se stoku i të gjitha kredive të kolateralizuara me pasuri të paluajtshme ishte afërsisht 440 miliardë lekë.
Stoku i kredisë së kolateralizuar me pasuri të paluajtshme është zgjeruar me 13% në krahasim me një vit më parë, si rezultat sidomos i rritjes së kredisë së kolateralizuar me pasuri të paluajtshme rezidenciale, ndërkohë që edhe portofolet e kredive të kolateralizuara me kolateral tjetër janë zgjeruar.
Shkalla e lartë e garantimit të kredive të dhëna me pasuri të paluajtshme e bën sektorin bankar të ekspozuar ndaj zhvillimeve në tregun e pronave dhe kryesisht ndaj luhatjeve të çmimeve të tyre.
Megjithatë, të dhënat e vitit 2025 tregojnë se raporti i kredive me probleme, veçanërisht në kredinë për blerje banesash ngelet i ulët dhe në rënie të mëtejshme.
Në fund të vitit 2025, raporti i kredive me probleme ra lehtë në 1.4%, nga 1.7% që kishte qenë një vit më parë.
Ndërkohë, çmimet e pronave raportohen ende në rritje, por me një dinamikë të ndryshme sipas zonave kryesore. Indeksi Fischer i përllogaritur nga Banka e Shqipërisë tregoi që çmimi mesatar i banesave vazhdoi rritjen edhe në gjysmën e dytë të vitit 2025.
Megjithatë, ritmet e rritjes u ngadalësuan, ndërsa kjo rritje ishte e përqendruar në masën dërrmuese në zonat bregdetare.
Çmimi mesatar i pronave të shitura gjatë 6-mujorit II 2025 u rrit me 11.7% në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 28% në krahasim me një vit më parë. Megjithatë, rritja vjetore e çmimeve u ngadalësua nga niveli prej 41.7% i raportuar në gjashtëmujorin e parë 2025.
Në veçanti për kryeqytetin, tregu shfaqet në ngadalësim të ndjeshëm. Indeksi i çmimeve për shitjet në Tiranë u raportua i pandryshuar ndaj gjashtëmujorit të mëparshëm dhe u rrit me 4.4% ndaj nivelit të një viti më parë. Rritja e çmimeve me bazë vjetore pësoi një rënie drastike nga niveli prej 32.6% i gjashtëmujorit të parë 2025.
Banka e Shqipërisë vlerëson se kontributin kryesor në rritjen e vlerës së indeksit të përgjithshëm të çmimeve e ka dhënë rritja në vlerën e indeksit të llogaritur për zonat e bregdetit.
Këto të dhëna tregojnë se rritja e çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme në Tiranë është frenuar ndjeshëm.
Financimi nëpërmjet kredisë bankare ka vijuar të shoqërojë një pjesë të mirë të shitjeve të pronave. Sipas agjentëve, rreth 61% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare.
Duke filluar nga mesi i vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë nisi të aplikojë kufizime për standardet e kredidhënies së re për blerjen e banesave, duke u përpjekur të frenojë rritjen e huasë në segmentin e individëve.
Raporti tavan i kredisë ndaj vlerës në monedhën Lekë është vendosur 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj kufiri i lejuar është 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.
Ndërsa raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave për kreditë në Lekë është në nivelin 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë. Në valutë të huaj, niveli tavan është 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpinë e dytë./monitor.al-A.D
