Last Updated on 17/04/2026 by EL
Kanë mbetur vetëm me rrobat e trupit të asaj pasditeje, teksa përpiqeshin të shpëtonin mes flakëve. Për fat nuk pati humbje jete, por gjithçka tjetër, thonë banorët e pallatit të djegur, është shkrumbuar nga zjarri që u përfshiu shtëpitë.
Këto ditë janë endur në Tiranë, sa tek një i afërm tek tjetri, ndërsa shtetin dhe veçanërisht bashkinë e kanë ndjerë më larg se kurrë. Rreth mesditës zëvendëskryeministrja Albana Koçiu është takuar me banorët e dëmtuar të pallatit, në prani edhe të përfaqësuesve të firmës.
Numri dy i qeverisë premtoi nisjen e rindërtimit nga firma sapo të përfundojnë hetimet. Albana Koçiu u kujdes të mos japë afate, por i siguroi banorët se do të kthehen në shtëpitë e rindërtuara. Nga ana tjetër, qytetarët e dëmtuar e vunë në dijeni se askush nga bashkia nuk është interesuar për strehimin e tyre.
Prej tri ditësh banorët enden rreth pallatit me shpresën se çështja e tyre nuk do të harrohet si shumë të tjera. Ndërsa hyrja në godinën e djegur është e ndaluar derisa ekspertiza të dalë në një përfundim në lidhje me shkaqet e zjarrit dhe nivelin e dëmeve në objekt./et
