Bashkia e Elbasanit është tërhequr pjesërisht nga projekti për zgjerimin e varrezave publike, pas reagimeve të forta të banorëve të lagjes “Emin Matraxhiu”, të cilët ju drejtuan me një peticion dhe paralajmëruan braktisje të shtëpive.
Autoritetet vendore kanë zbritur në terren dhe pasi kanë parë nga afër situatën në zonën e Belebesë, si dhe kanë dëgjuar shqetësimet e banorëve, kanë njoftuar se projekti do të rishikohet.
Nënkryetari i Bashkisë së Elbasanit, së bashku me punonjës të administratës vendore, kanë zhvilluar një takim me banorët e zonës, ku kanë dëgjuar shqetësimet e tyre dhe kanë parë konkretisht afërsinë e parcelës së planifikuar, me shtëpitë.
Sipas banorëve, përfaqësuesit e bashkisë u kanë premtuar se projekti do të rishikohet dhe se distanca e varrezave nga shtëpitë e prekura do të zgjerohet në 100 metra, duke garantuar shmangien e ndikimit psikologjik e social tek familjet, veçanërisht tek fëmijët.
Ky zhvillim vjen pas presionit publik dhe reagimeve të komunitetit, i cili kishte paralajmëruar ndjekje të rrugëve ligjore dhe braktisje të shtëpive nëse kërkesat e tyre nuk do të merreshin parasysh nga Bashkia Elbasan.
Për mediat lokale, banorët janë shprehur se do të presin konkretizimin e këtij premtimi në dokument zyrtar dhe projektin përfundimtar të Bashkisë, ndërsa situata mbetet në monitorim./ET
