Kompania e rrjeteve sociale X, e Elon Musk, është gjobitur me 120 milionë euro nga rregullatorët e Bashkimit Europian për shkelje të rregullave të përmbajtjes online, në dënimin e parë të këtij lloji në kuadër të Aktit të Shërbimeve Dixhitale (DSA). Hetimi dyvjeçar i BE-së ka konstatuar se platforma ka thyer rregullat për transparencën e reklamave, ka përdorur dizajn mashtrues për shenjën e verifikimit “blu” dhe nuk u ka dhënë studiuesve akses në të dhënat publike, siç kërkon ligji.
Ndërkohë, rivali TikTok i shpëtoi gjobës duke ndërmarrë ndryshime në bibliotekën e reklamave dhe duke premtuar më shumë transparencë. BE-ja vazhdon hetimet e ndara ndaj të dy platformave, për përhapjen e përmbajtjeve të paligjshme, manipulimin e informacionit dhe mbrojtjen e fëmijëve.
Vendimi ka shkaktuar reagime në SHBA, ku administrata e presidentit Donald Trump ka akuzuar BE-në se po shënjestron kompanitë amerikane. Nënpresidenti amerikan JD Vance shkroi në X se Komisioni Europian “po sulmon lirinë e fjalës” dhe “kompanitë amerikane”, ndërsa bëri thirrje të mbështetet liria e shprehjes online.
Komisioni Europian ka mohuar se masat e tij kanë karakter politik apo kombëtar, duke theksuar se synimi është ruajtja e standardeve demokratike dhe digjitale të unionit, që shpesh shërbejnë si model global.
Kompania X nuk ka dhënë ende një koment zyrtar. Ajo ka në dispozicion 60 deri në 90 ditë pune për të paraqitur masat e përafrimit me ligjin DSA, në varësi të çështjeve që duhet të adresojë.
TikTok, nga ana tjetër, u ka bërë thirrje rregullatorëve europianë që zbatimi i ligjit të bëhet njësoj dhe në mënyrë të barabartë për të gjitha platformat./mxh
