Policia në Selanik përdori gaz lotsjellës dhe sprej piper, pasi fermerët protestues tentuan të çajnë kordonin policor për të marshuar drejt aeroportit kryesor të qytetit. Përplasjet u ashpërsuan kur disa fermerë përdorën traktorët për t’i trembur efektivët e njësive të ndërhyrjes së shpejtë.
Prej ditësh, mijëra fermerë në Greqinë veriore dhe qendrore kanë bllokuar herë pas here autostrada kombëtare, porte dhe aeroporte, në shenjë proteste ndaj vonesave në marrjen e subvencioneve bujqësore të BE-së.
Pagesat janë shtyrë për shkak të një hetimi mbi akuza të korrupsionit masiv, ku fermerë të ndihmuar nga zyrtarë shtetërorë dyshohet se kanë falsifikuar pronësinë e tokës dhe të bagëtive për të përfituar fonde europiane. Zyra e Prokurorit Publik Europian kishte deklaruar më herët këtë vit se ka gjetur prova që mbështesin këto pretendime.
Autoritetet greke kanë nisur paralelisht hetime të tjera mbi skandalin, ndërsa parlamenti po shqyrton veprimtarinë e OPEKEPE, agjencisë shtetërore që shpërndan subvencionet bujqësore. Zyrtarët kanë bërë të ditur se mbi 40,000 aplikime ndodhen ende në proces verifikimi.
Protestat po bëhen gjithnjë e më të tensionuara, me përplasje të shpeshta, ndërsa fermerët kërkojnë pagesat e subvencioneve sa më shpejt të jetë e mundur. Të mërkurën (3 dhjetor), qeveria premtoi se pagesat do të lëshohen sapo të përfundojnë kontrollet, duke premtuar gjithashtu subvencione më të larta për vitin 2024./mxh
