Një ribashkim i madh kinematografik shënoi rikthimin e një prej sagave më të ndjekura të ekranit të madh, ndërsa këtë javë vëmendja e botës së filmit u përqendrua në Nju Jork. Mbrëmjen e së hënës, më 16 nëntor, u mbajt premiera madhështore e filmit më të ri The Hunger Games: Sunrise on the Reaping, një ngjarje e transmetuar gjerësisht që mblodhi në të njëjtin tapet të kuq yjet e brezave të ndryshëm të kësaj serie.
Atmosfera e asaj nate i ngjante një feste të vërtetë familjare, ku aktorët e filmave të mëparshëm u bashkuan me kastin e ri përpara se prodhimi të niste shfaqjen globale në kinema më 18 nëntor. Këtë të diel, më 22 nëntor, ndërsa publiku po e ndjek tashmë historinë në sallat e kinemasë, jehona e asaj mbrëmjeje mbetet ende e gjallë.
Një nga zërat që përcolli më së miri emocionin e këtij bashkimi ishte aktorja Elle Fanning (El Faning), e cila është pjesë e kastit të këtij kapitulli të ri. Ajo e përshkroi premierën si një ngjarje të jashtëzakonshme, duke vënë theksin te prania e aktorëve që kanë luajtur në të gjithë filmat e deritanishëm të sagës.
Sipas Elle Fanning, momenti kur të gjithë u bënë bashkë për një fotografi të madhe familjare ishte i veçantë dhe ajo u shpreh se ndihet e nderuar që është bërë pjesë e kësaj familjeje kinematografike, duke e cilësuar natën e 16 nëntorit si vërtet unike.
Filmi The Hunger Games: Sunrise on the Reaping i rikthen shikuesit sërish në kombin distopik të Panemit, aty ku fëmijët e njohur si tribute detyrohen të luftojnë deri në vdekje në spektaklin e përvitshëm të organizuar nga sundimtarët e korruptuar të vendit. Këtë herë, rrëfimi ndalet te edicioni i 50-të i këtyre lojërave dhe vendos në qendër rininë e një personazhi shumë të njohur për publikun, Haymitch Abernathy.
Rolin e tij në moshë të re e interpreton aktori australian Joseph Zada, duke marrë stafetën nga Woody Harrelson, i cili e kishte mishëruar këtë figurë në katër filmat e parë të The Hunger Games. Historia eksploron rrugëtimin e tij të dhimbshëm dhe shndërrimin nga një adoleshent idealist në mentorin cinik dhe të varur nga alkooli që audienca njohu fillimisht.
Për aktorin e ri Joseph Zada, dalja në tapetin e kuq të Nju Jorkut dhe mbajtja e peshës së këtij roli kryesor përbënin një moment të papërshkrueshëm. Përballë kamerave dhe fotografëve në natën e premierës, ai pranoi se nuk gjente dot fjalë për të shprehur atë që po përjetonte, duke e quajtur atë mbrëmje natën më të çmendur të gjithë jetës së tij.
Megjithatë, emocioni i mbrëmjes u dyfishua nga një zbulim i bujshëm që kishte ndodhur vetëm pak orë përpara nisjes së ceremonisë. Në një intervistë në një podkast të publikuar më herët gjatë ditës së premierës, fituesja e çmimit Oscar, Jennifer Lawrence, bëri të ditur se ajo, së bashku me Josh Hutcherson dhe Woody Harrelson (Udi Harelson), rikthehen në këtë film për të interpretuar sërish rolet e tyre ikonike, përkatësisht si Katniss Everdeen, Peeta Mellark dhe versioni më i rritur i Haymitch Abernathy. Kur treshja e njohur pozoi së bashku për fotografët në Nju Jork, ky moment u kthye menjëherë në kryefjalën e tapetit të kuq, duke lidhur drejtpërdrejt brezin e parë të historisë me kapitullin e ri.
Krahas rikthimeve nostalgjike, vëmendje të madhe morën edhe aktorët e mirënjohur që u japin jetë figurave të reja në ekran. Aktorja Glenn Close, duke folur për personazhin që interpreton në The Hunger Games: Sunrise on the Reaping, e cilësoi atë si një figurë të poshtër dhe të neveritshme. Ajo shpjegoi se kishte dashur ta ndërtonte rolin në mënyrë që personazhi të shfaqej i korruptuar, i përbuzshëm dhe krejtësisht shpërfillës ndaj fëmijëve, duke shtuar se kjo qasje ishte shumë e rëndësishme për historinë.
Nga ana tjetër, aktori Ralph Fiennes vlerësoi atmosferën festive që mbizotëronte në premierë dhe ndau bindjen e tij se ky prodhim duhet të jetë filmi i fundit i kësaj përralle dhe i kësaj bote të jashtëzakonshme që është krijuar për publikun.
Një këndvështrim tjetër mbi filmin solli aktorja Whitney Peak, e cila theksoi se ky kapitull funksionon mjaft mirë edhe për shikuesit që nuk i kanë parë filmat e mëparshëm. Sipas saj, historia është një pikënisje e shkëlqyer, pasi publiku mund ta shijojë këtë film pa pasur nevojë të njohë detajet e pjesëve të tjera dhe më pas t’i ndjekë ato me radhë. Ndërkohë, entuziazmi ishte i dukshëm edhe te aktorja Mckenna Grace, e cila u shpreh e mahnitur që ndodhej në të njëjtin ambient me yjet e filmave të kaluar. Ajo tha se e kishte të vështirë të besonte se jeta e saj ishte e vërtetë, duke shtuar se ndihej jashtëzakonisht mirënjohëse që ishte bërë pjesë e këtij filmi dhe që ndodhej në prapaskenat e një ngjarjeje të tillë.
Për aktorin Jesse Plemons, suksesi i vërtetë lidhet me pritjen që do t’i bëjë publiku besnik i librave dhe i filmave të mëparshëm. Ai u shpreh se shpreson sinqerisht që audienca e lidhur ngushtë me këto personazhe të përfshihet në këtë udhëtim dhe ta shijojë filmin në tërësinë e tij.
Krejt ndryshe, me një dozë humori, aktori Kieran Culkin tregoi historinë e pazakontë se si u bë pjesë e projektit. Ai zbuloi se për disa javë me radhë njerëzit i thoshin se kishin dëgjuar që ai do të luante në filmin e ri The Hunger Games, ndërsa ai e mohonte. Pasi kërkoi në internet dhe pa se edhe aty shkruhej se ishte pjesë e kastit, vetëm dy javë më vonë i erdhi zyrtarisht oferta për rolin, një zgjedhje që, me shaka, ai tha se fillimisht e kishte menduar si të tmerrshme.
Pas shkëlqimit të premierës së 16 nëntorit në Nju Jork dhe debutimit ndërkombëtar në kinema më 18 nëntor, The Hunger Games: Sunrise on the Reaping po vijon tashmë shfaqjen në mbarë botën./mxh
