Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë miratuar rregulla më të rrepta për hyrjen e burrave ukrainas në moshë për shërbim ushtarak.
Vendimi u mor me kërkesë të autoriteteve në Kiev dhe synon të pengojë ata që largohen nga Ukraina vetëm për t’iu shmangur detyrimeve ushtarake.
Sipas marrëveshjes së re, burrat ukrainas nga mosha 23 deri në 60 vjeç do të mund të përfitojnë nga skema e mbrojtjes së përkohshme të BE-së vetëm nëse kanë përfunduar shërbimin ushtarak ose janë përjashtuar zyrtarisht prej tij.
Rregullat e reja do të zbatohen vetëm për personat që mbërrijnë për herë të parë në territorin e Bashkimit Evropian.
Ata që ndodhen tashmë në vendet e BE-së nuk preken nga këto ndryshime.
Megjithatë, burrat në moshë ushtarake do të kenë ende të drejtën të kërkojnë azil.
Në këtë rast, kërkesat e tyre do të shqyrtohen individualisht dhe shanset për të marrë mbrojtje dhe leje qëndrimi pritet të jenë dukshëm më të kufizuara.
Deri tani, refugjatët nga Ukraina janë pranuar në BE përmes Direktivës për Mbrojtjen e Përkohshme, e cila u jep atyre mbrojtje pa kaluar në procedurën e zakonshme të shqyrtimit të çdo kërkese.
Kjo u ka lehtësuar ndjeshëm ukrainasve marrjen e statusit të mbrojtjes krahasuar me refugjatët nga vende të tjera.
Në të ardhmen, burrat që largohen nga Ukraina do të duhet të dëshmojnë se kanë përmbushur detyrimet ushtarake.
Kjo do të bëhet përmes një pasaporte me vulë daljeje të lëshuar nga autoritetet ukrainase ose me dokumente që vërtetojnë përjashtimin ose përmbushjen e shërbimit ushtarak./mxh
