Behgjet Pacolli ka reaguar publikisht duke sqaruar një sërë çështjesh që, sipas tij, janë paraqitur në mënyrë të pasaktë nga disa media.
Në deklaratën e tij, Pacolli thekson se nuk është nën asnjë akuzë dhe nuk ka qenë subjekt hetimi nga ndonjë prokurori në Republikën e Shqipërisë, duke shtuar se e njëjta gjë vlen edhe për familjarët e tij, përfshirë Emin Pacollin, si dhe për bashkëpunëtorët e lidhur me projektin e VIA-s.
Ai gjithashtu hedh poshtë çdo pretendim për përfshirje të tij në çështje penale apo hetimore, duke i cilësuar këto raportime si të pavërteta dhe të shtrembëruara.
Reagimi i plotë:
Me qëllim sqarimi, për disa media që, qëllimisht apo për mungesë informacioni, vazhdojnë të shtrembërojnë të vërtetën, me përgjegjësi ju konfirmoj:
a) Së pari, dua ta sqaroj në mënyrë të vendosur dhe të pamohueshme se unë, Behgjet Pacolli, nuk kam qenë dhe nuk jam nën asnjë akuzë, as nën ndonjë hetim nga cilado prokurori në Republikën e Shqipërisë.
Kjo vlen gjithashtu për Emin Pacollin, për çdo familjar timin, si dhe për çdo bashkëpunëtor tonin që ka qenë apo është i lidhur me projektin e VIA-s.
b) Tentativa për marrjen e paligjshme të 47% të kuotave të Mabco-s nuk është një çështje për të cilën Mabco ka qenë në dijeni apo ka dhënë ndonjë pëlqim. Përkundrazi, kjo përbën një veprim të paligjshëm dhe mashtrues, me pasoja të rënda juridike, civile dhe penale.
Ky veprim është kryer nga ish-administratori i VIA-s, Valon Lluka, i cili, pas 18 vitesh bashkëpunimi, tradhtoi besimin e dhënë për qëllime të përfitimit personal; nga noterja Valbona Selimi; si dhe nga pronari i 2% të kuotave të VIA-s, Valon Ademi.
Kjo çështje është aktualisht në fazë trajtimi civil dhe penal pranë gjykatës kompetente në Tiranë. Në këtë rast, Mabco është palë e dëmtuar dhe është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për mbrojtjen e pronës së saj.
Grupet që kanë kryer, si dhe ato që vazhdojnë të mbështesin këtë veprim të paligjshëm, janë të njëjtat që, përmes vendimeve të disa gjyqtarëve, kanë arritur të bllokojnë në mënyrë të paligjshme vijimin normal të punimeve në Aeroportin e Vlorës, para syve të organeve shtetërore — për të mos thënë edhe me ndihmën apo mosveprimin e tyre.
Për këto cdokush, besoj, qe mundët të informohët edhe zyrtarishtë nga organëet përkatëse shtetërore.
Lidhur me më çështjen, Mabco është në proces të elaborimit të një raporti ndërkombetar ligjor të pavarur, i cili konfirmon dhe dokumenton natyrën dhe shkaqet e paligjshme të këtyre veprimeve e sidomos të sekuestrimit të paligjeshë të Aeroportit te Vlorës./A.D
