Policia belge ka ndaluar më shumë se 100 persona gjatë protestave studentore në qytetin e Liezhit, ku demonstratat kundër rritjes së kostove të arsimit u përshkallëzuan në përleshje dhe incidente dhune.
Protestat u zhvilluan të dje dhe sot dhe lidhen me mbipopullimin e klasave, mungesën e burimeve dhe rritjen e tarifave universitare në sistemin arsimor të komunitetit frankofon të Belgjikës.
Sipas agjencisë belge “Belga”, 80 persona u ndaluan nga policia, ndërsa 27 të tjerë u arrestuan zyrtarisht.
Policia tha se disa protestues dëmtuan prona dhe ndezën zjarre.
Një prej protestuesve, 19-vjeçarja Amelia Di Salve, e cila studion për t’u bërë mësuese, tha se studentët vendosën të protestojnë pasi menduan se pa protesta nuk po ndryshonte asgjë.
Ajo shtoi se protestat në Francë kishin ndikuar deri diku në mobilizimin e tyre.
Një tjetër student, 19-vjeçari Alfred, tha se studentët belgë dhe francezë po përballen me probleme të ngjashme në arsim dhe se po mbështesin njëri-tjetrin.
Pse po protestojnë?
Arsimi në Belgjikë administrohet nga komunitetet gjuhësore dhe jo nga një sistem i vetëm kombëtar.
Flandria, pjesa holandishtfolëse, administron sistemin e saj arsimor, ndërsa Vallonia, pjesa frankofone, ka sistemin e vet.
Në zonat frankofone, tarifat universitare janë rritur nga 835 euro në 1,194 euro, një rritje prej rreth 43%.
Protestat në Liezh vijnë pas demonstratave të ngjashme në Bruksel gjatë verës dhe në një kohë kur arsimi belg po përballet me presion financiar për shkak të krizës së kostos së jetesës dhe rritjes së çmimeve të energjisë.
Kryebashkiaku i Liezhit, Willy Demeyer, u bëri thirrje autoriteteve dhe studentëve të rikthehen te dialogu, duke shprehur shpresën që të rinjtë t’i shprehin kërkesat e tyre në mënyrë paqësore./mxh
