Në pjesën më të madhe të Europës, partitë tradicionale vuajnë për të ruajtur legjitimitetin dhe dominimin social që gëzonin dikur. Madje, edhe në shtete me tradita të gjata parlamentare, partitë tradicionale përballen gjithnjë e më shpesh me përçarje, humbje të besimit dhe trysni në rritje nga forca të reja politike të së majtës dhe të djathtës.
Mbretëria e Bashkuar është vetëm shembulli më i fundit i këtij trendi, ku dy parti me një histori mjaft të gjatë parlamentare, si Konservatorët dhe Laburistët, u përballen me sfida serioze në zgjedhjet e fundit lokale përballë së djathtës ekstreme “Reform UK” dhe të Gjelbërve progresistë.
Çuditërisht, edhe pse me një traditë shumë më të shkurtër, dy partitë e mëdha politike në Shqipëri duket sikur kanë ngrirë në kohë. Pavarësisht një serie të gjatë humbjesh për opozitën dhe një sërë skandalesh që rrethojnë mazhorancën në pushtet, peizazhi politik i vendit mbetet përgjithësisht i pandryshuar.
Gazetari dhe publicisti Ben Andoni u shpreh në Apostrof Podcast në lidhje me problemet strukturore nga e cila vuan klasa politike shqiptare, që kanë çuar edhe në këtë stanjacion politik. Veç mendësisë së vjetëruar dhe kultit të të fortit që ekziston në sferën politike, Andoni theksoi klasës politike shqiptare i mungon vizioni politik dhe të menduarit institucional që shkon përtej udhëheqësve të momentit dhe zgjidhjes së krizave afatshkurtra.
“Keni parë që asnjë nga dy partitë e mëdha nuk e njohin rëndësinë e dokumentit,” tha Andoni, ndërsa iu referua mungesës së platformave serioze politike dhe organizimit të projekteve afatgjata brenda dy forcave kryesore politike në vend.
“Për shembull, ka nisur lëvizja e zotit Salianji… Kur ka nisur? Pse s’ke një dokument se si e nise këtë lëvizje dhe ku do shkosh? Cili është afatshkurtër objektivi jot, cili është objektivi afatmesëm?”
Sipas Andonit, ndryshimet politike në Shqipëri shihen si variante të mundshme ose nëpërmjet krizave të papritura, ose përmes ndërhyrjeve nga jashtë dhe jo përmes organizimit institucional dhe kulturës politike demokratike.
“Flasin njerëzit për ndryshim. Ndryshimi bëhet nëpërmjet një dokumenti, por thelbi tani, dhe duket që ne ndryshimet i bëjmë ose në variantin ‘deus ex machina’, që larg qoftë mos të ndodhi as ajo që ndodhi në vitin ’98, ku shteti iku në zgrip, ose nga një dorë e huaj, siç i ndodhi Kosovës, që ambasadori Dell nxorri nga xhepi një zarf dhe tha do jetë ky personazh, do jetë president i vendit.”
Megjithatë, Andoni shton se, pavarësisht stabilitetit në dukje të sistemit politik aktual, të dy partitë janë duke ecur drejt rrënimit. “Partia Demokratike e ka dukshëm rrënimin,” tha ai, “Partisë Socialiste nuk i duket rrënimi se ka fasadën e fortë, ka fasadën e pushtetit dhe patjeter që në të ardhmen të diktuar do shkojnë në zhbërjen e marrëveshjes së vitit 2008, ndryshimet kushtetuese të së cilës kanë sjellë si pasojë këtë realitet.”
Por ai theksoi se asnjë ndryshim strukturor politik nuk mund të ndodhë pa një përfshirje më të gjerë të qytetarëve dhe marrjen e përgjegjësisë nga vetë shoqëria.
“Duhet të jemi të ndëgjegjshëm për diçka. Ndryshime të tilla inicohen, bëhen ose kushtëzohen nga rrethanat, por duhet individi shqiptar të marri përsipër situata të tilla në krah.”/A.D
