Bergüzar Korel, një nga emrat e njohur të kinematografisë dhe serialeve turke, ka folur për mënyrën se si ka ndryshuar këndvështrimi i saj ndaj jetës. Në një intervistë për mediat turke, aktorja ka zbuluar se sot i sheh ndryshe shumë gjëra dhe nuk e ndien më të nevojshme të këmbëngulë për të pasur gjithmonë të drejtë.
Për të, rëndësi më të madhe ka ruajtja e lumturisë dhe e qetësisë së brendshme, duke lënë pas barrët emocionale që mund ta kenë rënduar në të kaluarën.
“Jam në një periudhë ku për mua është më e rëndësishme të jem e lumtur sesa të kem të drejtë dhe ku jam çliruar nga shumë barra”, është shprehur Korel.
“Jam më e guximshme, por edhe më e qetë”
Aktorja ka treguar se përvoja e jetës e ka ndihmuar të bëhet më e sigurt në vetvete, por edhe më e qetë në mënyrën se si përballet me situatat e ndryshme.
Sipas saj, thjeshtimi i jetës dhe pranimi i gjërave që nuk mund të ndryshohen kanë ndikuar në mënyrën se si ajo i sheh sot marrëdhëniet me të tjerët.
“Jam më e guximshme, por edhe më e qetë. E kam bërë më të thjeshtë jetën time. Kam pranuar shumë gjëra. Gjithmonë jam e gatshme ta dua çdokënd, por në jetën time lejoj vetëm njerëz të sinqertë”, ka deklaruar aktorja.
Përmes këtyre fjalëve, Korel përcjell një mesazh të qartë për rëndësinë e vendosjes së kufijve personal dhe të rrethimit me njerëz që ofrojnë sinqeritet dhe marrëdhënie të shëndetshme.
Bergüzar Korel është bërë e njohur për publikun falë roleve në disa seriale të suksesshme turke, përfshirë “Binbir Gece”, “Karadayı”, “Vatanım Sensin”, “Muhteşem Yüzyıl”, “Düğüm” dhe “Annem Ankara”.
Përveç karrierës së saj artistike, aktorja ka ndërtuar edhe një jetë familjare me kolegun e saj, Halit Ergenç. Çifti u martua në gusht të vitit 2009 dhe së bashku kanë tre fëmijë.
Djemtë Ali dhe Han kanë lindur përkatësisht në vitet 2010 dhe 2020, ndërsa vajza e tyre, Leyla, erdhi në jetë në vitin 2021./mxh
