Last Updated on 12/10/2026 by EL
Ylli Pata
Media amerikane ka vijuar publikimin e atij që e konsideron Skandali LaCivita me lobimin në Republika Srbska.
Normalisht është media pranë demokratëve që po bombardon publikut; logjike fushata është në kulmin e saj për të zgjedhur gjysmën e Kongresit.
Sipas asaj që bën të ditur CBS, në rrethin lobues të LaCivita-s në Ballkan është edhe vajza e Susie Wiles, shefja e kabinetit të Donald Trump.
Parë në kompleksitet, kemi të bëjmë me një çështje politike në radhë të parë, e çështja e skandalit kërkon të shikohet me kujdes.
Distancimi i Trump nga LaCivita megjithatë ishte mjaft kuptimplotë dhe ka brenda logjikën politike dhe elektorale.
Megjithatë, duke ardhur tek çështja në parim, kemi të bëjmë me një rrugë të shkelur e që s’ka dhënë rezultat. Bëhet fjalë për çështjen që prek Shqipërinë e jo Republika Srbska.
Vende problematike si Republika Srbska, me marrëdhënie traumatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka logjikë që ta përdorin lobimin si shtysë për të çarë në qarqet politike dhe ndikuar në vendimet e administratës amerikane.
Ndërkohë Shqipëria, që është një vend me marrëdhënie të ngushta e të afërta me SHBA, lobimin mund ta përdorë ose fare ose shumë rrallë.
Maksimumi për të krijuar një imazh të mirë e lehtësira kontaktesh, por përdorimi i lobuesve me peshë siç ka ndodhur vite me radhë, kryesisht nga PD-ja e Sali Berishës, ka rezultuar o e paefektshme, ose e dëmshme.
Lobuesit, mund të ndikojnë, por jo të ndryshojnë, mund të kenë peshë në një proces të caktuar, megjithatë nuk mund të kapërcejë korridoret dhe qarqet diplomatike të Departamentit të Shtetit, përkatësisht të Ambasadës Amerikane në Tiranë.
PD e ka provuar edhe me kompaninë Podesta në 2011-n, edhe me LaCivitan tani dhe praktikisht ka korrur vetëm thërrime politike q ënuk se vlejnë.
Edhe pse dy lobuesit në fjalë kanë qenë me peshë në administratën amerikane të kohës. Podesta shef i kabinetit të Obama-s, e LaCivita, një nga njerëzit e fushatës së Trump.
Madje në kohën e Podesta-s, çështja arriti deri në një ndikim në emërimin e diplomatëve, por sërisht nuk se kishte efekt real.
Madje, përplasja dhe devijimi i rrugëve diplomatike ka sjellë si pasojë një dëm afatgjatë në besueshmërinë e marrëdhënieve ndërmjet SHBA-së dhe PD-së.
Sado që është akuzuar pafund nga propaganda e Berishës, qoftë ambasada, qoftë diplomatë të shumtë, ambasada e SHBA në Tiranë ka qenë mjaft bujare me Partinë Demokratike, por të gjithë faktorët opozitarë.
I ka dëgjuar, pritur, lehtësuar kontaktet në korridoret e larta të politikës amerikane, por ka marrë nga opozita vetëm mosmirënjohje dhe përdorim të lobimit, i cili në vetvete nuk është diplomaci.
Sali Berisha, problemet me SHBA i ka pasur dhe do t’i ketë gjithmonë, ngase i ka krijuar vetë, por PD si komunitet dhe opozita në tërësi nuk ka përse të ankohet se ka korrur pa fund favore nga diplomacia amerikane.
Shortcut-i i lobimit, siç po tregojnë edhe ngjarjet e sotme nuk janë gjë tjetër veçse një boomerang, një karma e madhe që po i kthehet në fytyrë. Doktorit nuk i ka faj kush!
