Last Updated on 02/05/2026 by Anisa
Sali Berisha ka folur sot në lidhje me zgjedhjet për kreun e PD, ku pas përjashtimeve të kandidaturave, është i vetmi në këtë garë brenda partisë.
Ai tha se nuk mund të garojnë për kryetar partie ata që e kanë tradhtuar partinë dhe kanë bashkëpunuar me kundërshtarët politik.
“PD ka garën më demokratike dhe të ndershme. Kryetarët e partive në familjet tona si motra, vetëm një pjesë e vogël zgjidhen nga anëtarësia, të tjerët i zgjedh Kryesia.
Të siguroj se kjo parti pranon dhe do pranojë çdo demokrat që plotëson kriteret për të marrë pjesë në këtë garë. Besoj se kjo është gara më e rëndësishme e partisë dhe duhet të përfaqësojë anëtarësinë e partisë.
Në garë të marrin pjesë kandidatë të Ramës? Apo kandidatë që në fushatë elektorale punuan haptas kundër PD? Apo kandidatë që në fushatë kaluan në parti tjetër? Këta në çdo parti politike në botë, këta përjashtohen për tradhtinë që kanë bërë ndaj partisë së tyre në moment beteje.
Është jashtë çdo logjike që këta të mund të imagjinohet se do mund të kandidojnë, jo. Për të kandiduar për kryetar partie duhet të plotësosh në bazë të kritereve”, tha Berisha.
