Analisti dhe gazetari Mentor Kikia ka folur për zgjedhjet për kreun e PD ku kandidat i vetëm është vetëm Sali Berisha.
Gjatë një interviste, Kikia e ka quajtur këtë një situatë qesharake pasi nuk kemi të bëjmë me zgjedhje, as process zgjedhor, as transparencë, as llogaridhënie.
23 maji do të jetë një lloj referendumi partiak për Berishën, a duan apo jo të vazhdojë të jetë kreu i PD-së.
“Ajo që ndodh, apo që ka ndodhur tashmë në Partinë Demokratike, është një situatë në kufijtë e qesharakes. E dëgjova zotin Berisha që tha sot sërish prapë atë shprehjen që këto janë zgjedhjet më demokratike, më serioze, dhe unë s’kuptoj se ku janë zgjedhjet këtu?
Pa dyshim që do të ketë një proces votimi dhe, me sa jam informuar, do të ketë një alternativë ku votuesi të jetë dakord ose jo dakord me faktin që zoti Berisha të jetë kryetar i Partisë Demokratike. Pra, do të jetë një lloj referendumi partiak për Berishën dhe jo zgjedhje midis një, dy apo më shumë kandidatëve. Pra, nuk ka zgjedhje, ka një shprehje vullneti apo votëbesimi ndaj një individi.
Dhe në përfundim mund të rezultojë që 90% mbështesin Berishën dhe 10% nuk e mbështesin Berishën, por s’kanë një kandidat tjetër për ta mbështetur. Por në kushtet kur s’ka një kandidat tjetër, s’do ketë asnjë përfaqësues tjetër në atë të ashtuquajturin komision zgjedhor për të verifikuar se kush votoi pro dhe kush nuk votoi.
Prapë, përtej kësaj artifice, nuk ka zgjedhje. Dhe unë vazhdoj të mos e kuptoj se përse duhej bërë gjithë kjo zhurmë në Partinë Demokratike, të shpenzoheshin kaq shumë energji me kandidatë, me luftë, me sharje, me britma me njëri-tjetrin, me padi e me gjykata, kur nuk ka ndërmend të bëjë zgjedhje. Të bëjë të njëjtën gjë që bëri Rama! Nuk ka zgjedhje. Nuk ka në asnjë parti politike shqiptare, sepse në Shqipëri nuk ka demokraci brenda partive politike. Nuk ka procese zgjedhore, s’ka transparencë, s’ka llogaridhënie, nuk ka asgjë fare.
Atëherë, kur nuk ka, nuk ka! Dhe nuk ke pse të bësh zhurmë kur nuk ke ndërmend të bësh zgjedhje, dhe akoma më shumë, t’i shesësh ato, edhe tre ditë para zgjedhjeve, t’i shesësh këto si zgjedhje. Kështu që, në këtë kuadër, më duket se jemi në atë pikën fundore të degradimit të politikës në një situatë qesharake”, është shprehur ai./Mxh
