Ish-ministri i Financave, Arben Malaj ka paralajmëruar se paraja që vjen nga burime kriminale e pengon zhvillimin me ritme të larta dhe të qëndryeshëm të Shqipërisë.
Në një lidhje me Syri Tv, Malaj u shpreh se kjo lloj paraje do ta varfëroje më tej Shqipërinë dhe do të thellojë ndarjen sociale.
Sipas tij, një pjesë e popullit do të bëhen “milionerët e rinj” dhe klasa e mesme dhe e varfër do ta kenë të vështirë të plotësojnë nevojat jetike duke nisur nga strehimi.
“Kemi nja 8 vjet që ne, disa ekonomistë që e paralajmërojnë. Tolerimi i parasë kriminale nuk mund të ndihmojë Shqipërinë të ketë një zhvillim me ritme më të larta, zhvillim të qëndrueshëm dhe pasurim në mënyrë. Paraja kriminale krijon produkte kriminale. Mua edhe si shqiptar, dhe si studiues më tmerron ideja që sundon në qeverisjen e Rilindjes që Shqipëria duhet ta tolerojë në maksimum paranë kriminale se kështu janë bërë dhe vendet e tjera të fuqishme. Në gjithë historinë e studiuar, përmasat e parasë kriminale në historinë e Amerikës apo vende të tjera, nuk kanë qenë dominuese në ekonomi. Dhe e dyta, që është më kryesorja, atje fuqia e shtetit ka qenë aq e madhe sa nuk e ka lejuar asnjëherë paranë kriminale të drejtojë ato vendet siç dyshohet në rastin tonë dhe nga raporte të tjera, që qeveria ka influenca toleruese ndaj mafies dhe në disa raste edhe bashkëpunim me krimin e organizuar. Paratë që po hidhen në Shqipëri nga burime kriminale do ta varfërojnë Shqipërinë. Nuk do ta bëjnë më të pasur. Do sjellin një polarizim më të madh, do e thellojnë ndarjen sociale, ku disa do të jenë milionerët e rinj ose oligarkët e rinj të qeverisë, dhe klasa e mesme dhe klasa e varfër do ta ketë më të rëndë për të plotësuar nevojat jetike duke filluar nga strehimi”, u shpreh Malaj./mxh
